
Opozita izraelite i bën thirrje Trumpit të bashkohet në luftë kundër Iranit
Duke qëndruar në një vend të goditur nga një raketë iraniane në qytetin qendror izraelit Herzliya, Kreu i Opozitës së Izraelit, Yair Lapid, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump të bashkohet me fushatën ushtarake të Izraelit kundër Iranit, raporton “The Times of Israel”.
“Kam besim se presidenti Trump do të veprojë drejt për Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, si gjatë bisedave me zyrtarë ndërkombëtarë, ashtu edhe në mediat ndërkombëtare, vazhdoj të përsëris se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkohen me këtë fushatë”, është shprehur ai, ndërsa qëndronte përpara një autobusi të djegur dhe shkatërruar gjatë bombardimeve të djeshme.
Kujtojmë se Trumpi nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit ushtarak me Izraelin kundër Iranit. Ai ka zhvilluar një takim të martën me ekipin e tij të sigurisë kombëtare që zgjati gati 90 minuta. Ndërsa, dihet se një objektiv i mundshëm për ShBA-në është objekti bërthamor Fordo i Iranit, i cili ndodhet thellë nën tokë dhe vetëm amerikanët kanë një bombë që është e aftë ta shkatërrojë atë.
Ndërkohë, këshilltarët e Trump janë të ndarë për këtë hap, për të cilin ekspertët thonë se do ta “ndryshonte krejtësisht” konfliktin.