Opozita lëshon sallën, nuk ka kuorum për debat për shtrenjtimin e rrymës

08 shkurt 2022 | 13:04

PDK-ja dhe LDK-ja kanë lëshuar sallën e seancës pasi nuk ka pasur kuorum për ta futur në rend dite si mocion urgjent procedural për debat parlamentar, shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

Sipas propozimit të opozitës, kjo çështje do të vendoset si pikë e parë dhe pastaj të dilej me rezolutë të përbashkët për revokimin e vendimit të ZRRE-së.

Vendimi për shtrenjtimin e rrymës, sipas Armend Zemaj të LDK-së është marrë në kundërshtim me të gjithë hapat që janë propozuar.

Sipas tij, ky bord nuk ka pritur të dëgjojë zërin e qytetarëve. “Jemi në një momentum që Kuvendi duhet të vendosë. Ne jemi ligjvënës dhe jemi përfaqësues dhe duhet të komunikohet në një formë tjetër. Nuk është respektuar asnjë procedurë deri tani nga ZRRE-ja. Tash kemi një vendim që e rrit çmimin e rrymës 100 për qind”, ka thënë ai.

Ndërkohë sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duhet të anulohet sot. Me fillimin e seancës së Kuvendit, ai kërkoi që të mbahet një debat parlamentar rreth shtrenjtimit të rrymës, pasi siç tha ai, kjo e rëndon gjendjen e Kosovës. “Kërkojmë që ta kemi mocion procedural ta fusim një pikë ku do të debatojmë për këtë vendim. Për instrumentin e kryeministrit Kurti, që tashmë është shndërruar në një instrument të tij, vërtetë e rëndon gjendjen jashtëzakonisht shumë në Kosovë. Ky vendim të anulohet sot. Ky është realitet i hidhur në vendin tonë, realitet që s’mund ta përballojë asnjë qytetarë.  T’i marrim mandatin e ZRrE-së sepse do të bëjnë dëme edhe më të mëdha”, ka deklaruar Tahiri.

Derisa, Besnik Tahiri i AAK-së, ka thënë se vendimi për shtrenjtimin e rrymës është lajm shumë i keq për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, ky shtrenjtim i rrymës do të ndikojë në përkeqësimin e situatës së Kosovës, e që sipas tij duhet të ishte alarm për kryeministrin Kurti. “Do të ketë një rritje zinxhirore të çmimeve. Ne e mbështesim debatin dhe miratimin e rezolutës përmes së cilës kërkohet edhe revokimi i këtij vendimi. GP i AAK-së me kohë i ka dërguar komentet në ZRRE. Ajo çka kemi parë për këta muaj kemi parë sinkronoizim mes parlamentit dhe Qeverisë për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Wake Up – Ilir Shaqiri është finalisti i parë në…