Opozita nuk e përkrah vetingun pa bashkëpunim me ndërkombëtarët

01 nëntor 2021 | 16:38

Opozita dhe shoqëria civile kanë bërë me dije se nuk do të përkrahin një proces të vetingut në drejtësi i cili nuk bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Zyrtarët e partive opozitare kanë deklaruar se nuk do të pranojnë një proces të tillë që nuk përkrahet nga BE-ja dhe ShBA-ja. Kurse përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë vlerësuar se vetingu nuk do të mund të zbatohet pa mbështetjen e këtyre dy partnerëve strategjikë të Kosovës

 

Muhamet KOCI

Përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare kanë bërë me dije se nuk do ta përkrahin procesin e vetingut në drejtësi pa bashkëpunim me Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kjo parti nuk pranon një reformë të njëanshme në sistemin e drejtësisë. “Kemi probleme bazike me drejtësinë. Vetingu si mjet i përmirësimit të sistemit është domosdoshmëri, por si mjet i pushtetit për të kontrolluar këtë sistem kundër kundërshtarëve politikë është i pamundur dhe i padrejtë. Këtë nuk do ta lejojmë. Ne do ta pranojmë një sistem vetingu me koordinim të plotë me BE-në dhe ShBA-të”, ka deklaruar Abdixhiku për “Syri.net”. Ai ka thënë se tani BE-ja ka mospajtime me propozimin e qeverisë për procesin e vetingut, duke shtuar se ShBA-ja ende nuk ka një qëndrim për këtë çështje.

Kurse shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se qeveria ka tentuar ta imponojë një proces vetingu mbi bazën e paragjykimit dhe ngarkesave ideologjike. “Bashkimi Evropian, ashtu si partnerët e tjerë strategjikë që e kanë ndihmuar Kosovën në këtë sektor, asnjëherë nuk kanë konstatuar se vetingu nuk duhet të ndodhë. Por, para se një i tillë të vijë në shprehje, e për çfarë qeveria aktuale nuk ka as ide, as dije dhe as formulë, duhet fillimisht të vihen në jetë të gjitha instancat e tjera pararendëse që sigurojnë integritet e llogaridhënie”, ka vlerësuar Tahiri. Sipas tij, kjo përpjekje e qeverisë do të jetë e dështuar. “Tendenca për ta imponuar një proces të vetingut mbi bazën e paragjykimit e ngarkesave ideologjike, paralelisht me dështimin për të ofruar një model të qëndrueshëm të bazuar në ligj e Kushtetutë, jo vetëm që është shpërfillje e punës dhe përpjekjeve të sistemit, por edhe një masë ideale pas së cilës është lehtë të fshihet dështimi i qeverisë në baza ditore për t’i kontribuar konsolidimit të këtij sistemi”, është shprehur Tahiri.

 

Pa ndërkombëtarët nuk bëhet vetingu

Shoqëria civile ka vlerësuar se mbështetja ndërkombëtare për zbatimin e reformës në drejtësi është e domosdoshme. Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se procesi i vetingut nuk do të mund të zbatohet pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Shasha ka deklaruar se realizimi i këtij procesi kërkon ekspertizë specifike e cila nuk ekziston në Kosovë. “Konsideroj se pa përkrahjen e BE-së dhe të ShBA-së vetingu nuk do të jetë i mundur të zbatohet pasi që një proces kaq i ndjeshëm dhe kompleks kërkon jo vetëm përkrahje politike nga aleatët tanë strategjikë, por edhe ekspertizë specifike e cila nuk ekziston në Kosovë”, ka thënë Shasha.

Ai ka treguar se pse ka ardhur deri te kjo brengosje e BE-së për procesin e vetingut të propozuar nga Qeveria e Kosovës. Sipas Shashës, kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së dialogut në mes të institucioneve të Kosovës dhe BE-së. “Nga ana tjetër, unë jam i bindur se mungesa e harmonisë së qëndrimeve në mes të institucioneve të Kosovës dhe BE-së sa i përket vetingut vjen si rezultat i mungesës së dialogut thelbësor në mes të dy palëve. Rrjedhimisht, jam i bindur se nëse qeveria arrin të shpjegojë në mënyrë koherente dhe logjike nevojën dhe mënyrën e zbatimit të vetingut në Kosovë, atëherë do ta sigurojë edhe përkrahjen e BE-së dhe të ShBA-së”, ka thënë Shasha.

Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë me dije se pa partnerët ndërkombëtarë është e pamundur realizimi i këtij procesi. “IKD-ja vlerëson dhe mbetet pranë nismës së saj për ta përfshirë sistemin e drejtësisë në procesin e vetingut, si proces pa alternativë. Si i tillë, ky proces kërkon dialog konstruktiv dhe të bazuar në fakte dhe mirëbesim në mes të partisë në pushtet në radhë të parë me partnerët ndërkombëtarë, pasuar me dialog konstruktiv dhe përmbajtjesor me aktorët e sistemit të drejtësisë, partitë politike opozitare dhe komunitetet joshumicë në Kosovë”, ka vlerësuar IKD-ja në një deklaratë për media.

Në raportin e progresit të KE-së për Kosovën, që u publikua më 19 tetor, është thënë se plani i Qeverisë së Kosovës që të bëjë veting të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është burim serioz i shqetësimit. “Një proces i tillë do të duhej të konsiderohej vetëm si një masë e jashtëzakonshme pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues për ta siguruar integritetin dhe për ta luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore. [Procesi] do të duhej të ishte në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, është thënë në raportin e progresit.

Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar konstatimin e Komisionit Evropian se rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet shqetësim serioz. Osmani ka deklaruar se mungesa e vetingut do të ishte shqetësim serioz, e jo realizim i këtij procesi. “Mosrealizimi i vetingut nuk u kontribuon as përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për garantimin e sundimit të ligjit dhe as së ardhmes evropiane të vendit tonë”, ka thënë Osmani. Ajo ka thënë se procesi rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve do të vazhdojë. “Për dallim nga ajo që konstatohet në raportin e BE-së, ky proces do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Për vite me radhë raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë konstatuar ngecjet në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e mekanizmave adekuatë për trajtimin e këtyre ngecjeve. Me mekanizmat ekzistues nuk do të ketë mundësi të realizohen reformat e dëshiruara në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Osmani.

Qeveria e Kosovës më 13 tetor ka miratuar koncept-dokumentin për vetingun në drejtësi i cili është thënë se ka për synim forcimin e sundimit të ligjit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
David Alaba është kthyer në një nga pikat e referimit…