‘Opta’ përditëson shanset për fituesit e mundshëm të Ligës së Kampionëve
Superkompjuteri i “Opta”-s ka rishkruar skenarin e Ligës së Kampionëve, ku tashmë kanë ndryshuar përqindjet për fituesit e mundshëm të trofeut këtë edicion.
Gara për trofeun më të madh evropian po hyn në fazën vendimtare pasi tashmë janë luajtur ndeshjet e para gjysmëfinale, ku Paris Saint-Germain ka fituar 5-4 ndaj Bayern Munichut dhe Atletico Madridi ka luajtur baras 1-1 me Arsenalin.
Sipas superkompjuterit të faqes së statistikave “Opta”, balanca e forcave ka pësuar një kthesë të fortë. Arsenali shihet aktualisht si favoriti kryesor për ta fituar trofeun, me rreth 34.9% shanse për triumf.
Menjëherë pas tyre vjen Paris Saint-Germain, që mban mbi 32% mundësi për të ngritur trofeun lartë, duke konfirmuar formën dhe rrugëtimin e fortë deri në këtë fazë.
Ndërkohë, Bayern Munichu mbetet një kërcënim serioz me mbi 22% shanse për të fituar, falë përvojës dhe ADN-së fituese në këtë garë.
Në garë mbetet edhe Atletico Madridi, që megjithëse me më pak probabilitet – rreth 10%, vazhdon të konsiderohet një kundërshtar i rrezikshëm që mund të surprizojë në çdo moment.
Arsenali dhe PSG duken më të avantazhuara për të prekur finalen, ndërsa Bayern dhe Atletico kërkojnë përmbysjen e parashikimeve. /Telegrafi




