Ora e Evropës
Nga Blerim Shala
Në shtetet e Bashkimit Evropian, sipas të gjitha hulumtimeve të disponimit të qytetarëve, tash e sa vite po mbizotëron qëndrimi që nuk duhet të ketë ndërrim të orës në vjeshtë dhe
në pranverë, apo, që gjithmonë duhet të jetë një orë e matjes së kohës, ajo vjeshtorja, gjegjësisht natyrorja.
E dimë që sot e patëm sërish ndërrimin e orës.
Dihet arsyet pse një shekull e më shumë Wmë parë ka nisur të aplikohet ora pranverore, kur akrepat shtyheshin një orë para. Qëllimi ishte që të fitohet një orë shtesë për punë.
Po koncepti i orëve të punës ka ndryshuar në mënyrë thelbësore në ndërkohë, teksa matja e kohës ka mbetur e njëjta.
Arsyeja pse nuk po ndodhë ndryshimi i matjes së kohës, për ta lënë në fuqi vetëm atë natyroren, përkon me vendimmarrjen tej mase të ndërlikuar të Bashkimit Evropian, e cila
thuaja në të gjitha fushat është bërë pengesë për funksionimin e duhur të tij.
Për më shumë, qasja protokollare në vendimmarrjen e BE-së është përqafuar thuaja në të gjitha rrafshet e funksionimit brenda shteteve të BE-së. Këtu po e sjelli një shembull personal, që ka të bëjë me një fluturim aeroplani prej Vjenës në Hamburg, që më ndodhi para një viti, me një kompani prestigjioze gjermane.
Kësaj kompanie i kishte ndodhur diçka e habitshme: Kishte shitur një buletë më shumë se sa që kishte ulëse në këtë aeroplan. U kuptua shpejt kjo gjendje e pakëndshme. Fluturimi nuk mund të zhvillohej pa dalë një udhëtar jashtë, për ta pritur fluturimin e radhës. Ishin tri ulëse të lira në klasën e biznesit, dhe nuk do të bëhej nami nëse një udhëtar i klasës ekonomike do të ulej aty. Por kot. Duhej respektuar protokolli. Pastaj, kishte udhëtarë që u ofruan ta blejnë një buletë në klasën e biznesit, por as kjo nuk ishte e mundur në këtë fluturim, sepse ishte jashtë protokollit.
Fluturimi tashmë po vonohej gjysmë ore, duke i shkaktuar me siguri probleme shumë pasagjerëve. Më në fund, një udhëtar u lajmërua për tu larguar vullnetarisht nga aeroplani, dhe ky
madje u përshëndet me duartrokitjet e të gjithë pasagjerëve të tjerë. Ama protokolli mbeti në fuqi. Nuk pati si të ndërrohet ai.
Brenda dy viteve, në harkun kohor 2020-2022, Bashkimi Evropian u detyrua dy herë ta ndryshojë në mënyrë thelbësore vendimmarrjen dhe protokollet e veta. Së pari, Evropa dhe Bota u goditën keq nga Pandemia e COVID-19, që erdhi nga Kina. Por, përvoja me mënyrën se si BE-ja reagoi ndaj sfidës tepër të rrezikshme të COVID-19, nuk ishte aspak impresive, së paku në fazën e parë kur kishte panik gjithandej në Evropë. Shtetet e BE-së u mbyllën ndaj njëra-tjetrës, u karantinuan si në Mesjetë, dhe nuk kishte farë solidariteti evropian. Kjo ndryshoi në periudhën e dytë të përballimit me këtë virus vdekjeprurës. Sidoqoftë, ky virus që nuk mund të shihet me sy shkundi fort procedurat e marrjes së
vendimeve në Bruksel.
Së dyti, BE-ja gjeti veten, me 24 shkurt të vitit 2022, në situatën krejtësisht befasuese, në vijim të agresionit të Rusisë mbi Ukrainën.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, siç do të kuptohej më vonë, në përllogaritjet që spikatnin suksesin e fushatës së tij ushtarake, kishte përfshirë edhe elementin e pagjeturisë, ngathtësisë dhe ndërlikueshmërisë në vendimmarrjen e BE-së. Por, këtu së paku, u shfaq një befasi në Bruksel, gjithsesi e ndihmuar edhe nga Washingtoni zyrtar i Administratës së Presidentit Biden.
Të mbështetur për muri, siç ishte zaten rasti edhe me ballafaqimin me COVID-19, BE-ja nisi të funksionojë si duhet, pos tjerash, sepse dihej mirëfilli që fronti i Ukrainës do të jetë
vetëm i pari në atë mësymjen ruse kah Evropa. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që BE-ja ka lënë prapa pengesat e marrjes së vendimeve. Ato do të mund të tejkalohen një herë e mirë vetëm kur të ndryshohet parimi i përdorimit të drejtës së Veto-s, i cili është treguar tash e vite paralizues për BE-në, edhe kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së me shtetet e reja në Lindje apo në Ballkanin Perëndimor. Ditëve të fundit ka shenja në Bruksel që po punohet në këtë drejtim. Në të vërtetë, BE-ja nuk ka tjetër alternativë pos ta ndryshojë vendimmarrjen e vet.
Ndryshe, jo vetëm që nuk do të hiqet qafe çështja e ndryshimit të orës, por për më shumë, Evropa do ta humbë orën e vet politike në Botë.



