
Orav në Gjakovë: BE-ja, partnere kyçe në zhvillimin komunal
Për Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) është shumë e rëndësishme dalja në teren, të takojmë njerëz të ndryshëm në mënyrë që të shohim mundësitë e një bashkëpunimi sa më të mirë dhe që procesi i integrimit të jetë sa më i kapshëm për të gjitha palët. Kështu është shprehur ambasador i BE-së në Kosovë Aivi Orav pas takimit me kryetarin e komunës së Gjakovës Ardian Gjini. “Jam shumë i lumtur që nga kryetari Gjini po ashtu dëgjova për projekte shumë funksionale e BE-së në Gjakovë në theks të veçantë për ngrohtoren e qytetit si një projekt i financuar nga BE dhe që është shumë jetik për qytetarët e kësaj komune. Po ashtu, ne po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha komunat dhe popullin e Kosovës në mënyrë që procesi i integrimit të jetë sa më i shpejtë”, ka thënë ambasadori Orav.
Ndërsa kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se Bashkimi evropian është bindshëm kontribuuesi më i madh jo vetëm në Gjakovë, por në gjithë Kosovën, përmes projekteve shumë të rëndësishme, disa prej të cilave kanë përfunduar ndërsa pjesa tjetër janë duke u kryer. “Në të njëjtën kohë nuk është kurrë e tepërt me e thanë se drejtimi i Kosovës është unioni evropian edhe ne duhet ta bëjmë maksimumin tonë si komunë, por edhe si shtet, si vend që me i krijuar rrethanat tona me qenë sa më afër anëtarësimit në të ardhmen në Bashkimin Evropian. Unë e falënderova ambasadorin për punën dhe zyrën e tij për gjithë kontributin që e kanë dhënë për Gjakovën”, ka thënë Gjini.
I shoqëruar nga kryetari Gjini, ambasador i BE-së në Kosovë Aivi Orav gjatë vizitës në Gjakovë ka zhvilluar një takim me afaristët e kësaj komune e po ashtu ka vizituar qendrën inovative dhe Muzeun e këtij qyteti.