ORCA publikon emrat e kandidatëve për rektor të UP-së: Sasia dhe cilësia e tyre dëshmi se nuk ka besim në këtë proces

08 nëntor 2022 | 11:59

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, ka publikuar emrat e kandidatëve për rektor të Universitetit të Prishtinës.

Sipas kësaj organizate është humbur besimi në këtë proces dhe se duhen zgjedhje të reja në nivel universitar për të dalë nga situata e krijuar

“Kandidaturat për rektor të Universitetit të Prishtinës, tregojnë se besimi në proces ka humbur dhe se duhen zgjedhje të reja në nivel universitar për të dalë nga situata e krijuar. Si për nga numri i kandidaturave, si për nga kualiteti shihet se asnjë emër me reputacion të mirë në UP nuk ka kandiduar për rektor. Fakti që në mesin e 6 kandidatëve kanë aplikuar njerëz me të kaluar të dyshimtë, si shembull të përfolur për afera korruptive, apo që kanë pasur pjesëmarrje aktive në sabotazhë të integritetit akademik të UP-së, tregon se shkarkimi i rektorit dhe situata aktuale po shërbejnë si mobilizim për grupet e interesit të cilat duan ta çojnë në regres Universitetin e Prishtinës. Për më tepër, fakti që asnjë grua nuk është kandidate për rektor, është poashtu shqetësues. Brengat e deritashme të shoqërisë civile për ngacmime seksuale dhe për seksizëm në UP, vërtetohen me faktin që asnjë grua nuk ka besim në këtë proces për të kandiduar si kandidate për rektor të Universitetit të Prishtinës.

ORCA ka parë me shqetësim emrat e kandidatëve si Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova e Qerim Qerimi dhe si rrjedhojë ka filluar një proces holistik të verifikimit për secilin kandidat në lidhje me integritetin personal dhe akademik të secilit kandidat. Brenda javës ORCA do të publikojë profilin e secilit kandidat për rektor.

Ndërkohë ORCA do të fillojë mobilizimin me organizatat e shoqërisë civile për të kërkuar në mënyrë të vendosur shpalljen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e Universitetit, si e vetmja mënyrë për dalje nga situata aktuale”, thuhet në komunikatën për shtyp të lëshuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bradley Cooper dhe Irina Shayk kanë shtuar thashethemet se janë…