Ose asnjënës, ose gjithanës

31 dhjetor 2025 | 10:50

Shkruan: Iljasa Salihu

Të jesh i pranishëm si politikan (jo si besimtar) në meshën solemne të Krishtlindjes në katedrale, që udhëhiqet nga ipeshkvi, përkthyer në një rrethanë tjetër është të jesh i pranishëm si politikan (jo si besimtar) në ligjëratën solemne të Bajramit në xhaminë kryesore, që udhëhiqet nga myftiu. Tani e sa vite, është krijuar tashmë traditë që udhëheqësit më të lartë të shtetit të marrin pjesë si politikanë në meshën solemne të Krishtlindjes në katedrale, kurse të njëjtën gjë nuk e shohim për Bajram në xhaminë kryesore, edhe pse shumica dërrmuese e udhëheqësve që marrin pjesë në meshë i takojnë fesë islame. Ndonëse, nuk e nënvizova rastësisht si politikan dhe jo si besimtar, ngaqë të jesh i pranishëm si besimtar në një vend ku adhurohet Zoti dhe që i përket asaj feje që ndërlidhet me atë vend, është më se normale, kurse të marrësh pjesë si politikan dhe njëkohësisht ta anashkalosh një bashkësi tjetër, qoftë ajo shumicë apo pakicë në vend, është padrejtësi dhe thyerje e njërit dhëmbëzor të shiritit të harmonisë ndërfetare. Nuk jam për anasjellshmëri të paarsyeshme apo të verbër, por kjo sjellje e politikanëve përpos që është shpërfaqje e panevojshme e ndjenjës së vogëlisë ndaj atij që botërisht duket më i fuqishëm, është edhe fyerje për bashkësinë tjetër që është shumicë në vend, apo ndonjë bashkësie tjetër që është e vogël, por e regjistruar dhe e pranuar në Kosovë. Fundja, në kontekstin kushtetues, shteti është asnjënës ndaj feve, që i bie se njeh dhe përkrah çdo bashkësi fetare, por nuk epërson asnjërën kundrejt tjerave. Përndryshe, me sjelle të këtilla, zbehet kuptimi edhe i harmonisë ndërfetare, asaj që aq shumë jemi lavdëruar para të huajve!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se brenda pak ditëve, janë…