Osmani: Anëtarësimi në NATO dhe BE, objektiv strategjik i Kosovës

17 shkurt 2020 | 13:18

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e organizuar në kazermën “Adem Jashari” me rastin e 12-vjetorit të shpalljes se pavarësisë, ka thënë se ushtria e Kosovës është produkt i luftës për liri.

Ajo ka thënë se anëtarësimi në NATO dhe BE mbetet objektivi kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.

“Zoti i bekoftë Forcat tona dhe Kosovën tonë. Nderime atdheut!”, ka thënë Osmani.​

Fjalimi i plotë i Osmani në kazermën “Adem Jashari”:

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Kosovës,

I nderuar kryeministër z. Albin Kurti,

I nderuar Ministër i Mbrojtjes, z. Anton Quni,

Komandant i FSK-së, gjeneral Rama,

Të dashur ushtarakë, oficerë dhe nënoficerë,

Sot, në këtë ditë të veçantë dhe më të rëndësishmen për Republikën e Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që në emër të Kuvendit të Kosovës, institucionit më të lartë përfaqësues në vend, të ju drejtohem juve që jeni sinonim i shtetësisë, mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë.

Në këtë kazermë që mban emrin e komandantit Adem Jasharit, shembullit të sakrificës e vetëflijimit për atdhe, që ne të kemi lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot, ndjejmë obligim moral e qytetar, të kujtojmë me dhembje por edhe krenari, përpjekjet e gjeneratave të kaluara, që u flijuan për Kosovën tonë. Sot amaneti i tyre është jetësuar, kemi shtetin tonë dhe kemi ushtrinë tonë.

Ushtria e Kosovës, është produkt i luftës për liri, i rezistencës së një populli të tërë, i gjakut të dëshmorëve, dhe miqësisë së hershme e të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ishte nisur si mision strategjik nga presidenti historik dr. Ibrahim Rugova.

Të jeni krenarë me veten. Dhe në ato momente të mundimshme trajnimesh kur djersa e lodhja fizike e psiqike mund të ju duket e kotë – të jeni të vetëdijshëm se vendimi juaj për të sakrifikuar më të rëndësishmen që keni – jetën tuaj – është vendim i shenjtë të cilin shteti dhe qytetarët ua vlerësojnë.

Kosova po shënon 21 vite liri dhe 12 vite shtet, dhe askush më mirë se populli i Kosovës, nuk e kupton në thelb, rëndësinë e të jetuarit në një vend të lirë dhe të sigurt, ku garantohen liritë politike dhe qytetare për të gjithë pa dallim. Vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, janë të shkolluar dhe përgatitur profesionalisht, të stërvitur me standardet më të larta të vendeve të NATO-s dhe të gatshëm të përballen me sfida dhe nevojat eventuale.

Si bashkëshorte e një ushtaraku, mbajë me krenari uniformën e Forcave tona në shtëpinë tonë, gjithmonë e vetëdijshme për sakrificën që keni bërë për t’i shërbyer vendit.

Veçanërisht ndjejmë krenari me oficerët dhe nënoficerët e rinj të FSK-së të cilët kanë arritur rezultate maksimale në akademitë më të njohura ushtarake botërore dhe në garat ndërkombëtare. Shembulli dhe profesionalizmi i juaj i treguar në ndihmë Republikës së Shqipërisë në rastin e përballjes me tërmetin e vitit të kaluar, ka qenë edhe një dëshmi e radhës se FSK posedon kualitete dhe profesionalizëm të lartë dhe për këtë, gjithë qytetarët tanë janë ndier krenarë.

Forcat tona do të konsolidohen si forcë ushtarake profesionale dhe e nderveprueshme me forcat ushtarake të NATO-s dhe si të tilla janë që tani të gatshme të kontribuojnë në operacione të paqes jashtë territorit në partneritet dhe koordinim të plotë me NATO-n.

Të dashur ushtarakë, ju duhet të ndiheni krenarë që jeni pjesë e një formacioni ushtarak i cili ka veç një mision: mbrojtjen e integritetit territorial dhe sigurisë e qytetarëve të Republikës pa dallim. Do të punojmë pareshtur që të bëjmë realitet Kosovën që duam ne, vend të sigurt, ku respektohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, vend të zhvilluar ekonomikisht, të integruar në NATO, Bashkimin Evropian dhe në strukturat tjera euroatlantike.

Anëtarësimi në NATO dhe BE mbetet objektivi kryesor strategjik i Republikës sonë për të cilin do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë. Zoti i bekoftë Forcat tona dhe Kosovën tonë. Nderime atdheut!​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli, ka thënë se…