Osmani dekoron shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin ‘Hasan Prishtina’

07 qershor 2023 | 14:38

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”.

Me këtë rast, Osmani ka thënë se me veprat e tij, shkrimtari Kadare ka mbrojtur e promovuar kulturën, traditat  dhe gjuhën shqipe. Ajo ka theksuar se Kadare ka qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptar.

“Si mirënjohje në emër të popullit të Kosovës, nderojmë shkrimtarin tonë të shquar, zotin Ismail Kadare vepra e të cilit është enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve, e historisë së tyre, dokeve e traditave dhe mbi të gjitha e gjuhës shqipe. Jam shumë i lumtur që jeni këtu kur Prishtina e jonë e dashur është veshur me petkun e librit. Prania juaja në panairin e librit është një mesazh i rëndësishëm”, ka thënë Osmani.

Ndërsa shkrimtari Ismail Kadare, ka thënë se për të nuk ka nderim më të madh se dekorata që ka marrë nga presidentja Osmani.

“Jam shumë i prekur që jam në mes jush, për këtë nderim kaq të madh. Është një fat i rrallë që një popull të nderoj dhe të të quaj bashkë mbrojtës të të drejtave te tij. Për fat të keq Shqipëri ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmba nga forcat e huaja por për fat të mirë ajo i ka kapërcyer vështirësitë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta pengoj një popull që të jetoj i lirë. Vetë mbledhja jonë këtu tregon triumfin e popullit shqiptarë. Nuk ka nderim më të madh për një intelektual se sa kjo që po e përjetoj sot këtu”, ka thënë Kadare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka dënuar gjuhën e…