Osmani: Do ta ftojë Hotin për raportim në Kuvend para se të shkojë në Uashington

17 qershor 2020 | 16:19

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të kërkojë nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, që të raportojë para deputetëve për çështjen e dialogut me Serbinë.

Madje, kjo sipas kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, duhet të ndodhë para se Hoti të niset për në Shtetet e Bashkuara dhe se sipas saj, kryeministri duhet të debatojë dhe raportojë para deputetëve lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë Republika e Kosovës. “Me vendim unanim të anëtarëve prezentë të kryesisë, unë do t’i drejtohem kryeministrit të vendit, që ai t’i raportojë Kuvendit para se ai të niset për Uashington, për takimin e datës 27 (qershor), duke pasur gjithnjë parasysh rëndësinë e çështjes së dialogut dhe duke pasur parasysh rolin mbikëqyrës që duhet ta luajë kuvendi dhe po ashtu detyrimin që e ka qeveria që t’i raportojë kuvendit për çështje të politikës së jashtme”, ka thënë Osmani pas mbledhjes së Kryesisë.

Osmani ka thënë se data e këtij raportimi do të vendoset në ditët në vijim, por sipas saj, duhet të ndodhë para udhëtimit në Uashington.

Kryetarja e Kuvendit, Osmani ka treguar po ashtu se në mbledhjen e kryesisë është vendosur që të martën të mbahen dy seanca plenare, ku do të diskutohet edhe kërkesa për interpelancë për kryeministrin Hoti.

Ky i fundit ndërkaq, pritet të udhëtojë për në ShBA më 27 qershor, për të marrë pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë takim, të thirrur nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, pritet të takohen përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim, Kosovën pritet që ta përfaqësojë kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti, Hashim Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luhet…