Osmani e godet Thaçin për fundvit: Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar

15 dhjetor 2022 | 11:22

Presidentja Vjosa Osmani e ka goditur ish-presidentin Hashim Thaçi gjatë fjalimit të fundvitit në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se Kosova “asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplote, më të përgatitur e më të koordinuar”.

Pasi përmendi takimet e saj me liderë rajonalë, europianë e botërorë, ajo tha se Kosova “më në fund ka politikë të jashtme”.

“Natyrisht që kjo politikë e jashtme e fokusuar në interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës, e jo të interesave të ngushta individuale, e shpeshherë të paligjshme po u pengon disave, jo vetëm në Serbi, por edhe jashtë saj. Kosova nuk ka politikë të jashtme, po thonë ca zëra. Natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme. Në fakt, më në fund Kosova ka politikë të jashtme”, tha Osmani.

Më tej, ajo tha se “koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë”.

“Por po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro-individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë e me Rusinë me qëllim të interesava individuale…”, ka deklaruar Osmani.

Në politikën e jashtme, presidentja tha se ka shumë sfida, pasi që “gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për situatën e fundit në veri, akuzoi Serbinë se mbështet “grupet kriminale” në veri të Kosovës.

“Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës, e të cilat i shpreh përmes financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale-kriminale. Por, ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë”, tha Osmani.

Ajo u zotua se institucionet e Kosovës janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës që jetojnë në këtë pjesë, teksa tha se “bandave kriminale” nuk po u pëlqen vendosmëria e institucioneve për sundim të ligjit.

Presidentja e Kosovës porositi se procesi i dialogut me Serbinë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë, që, sipas saj, do të ishte garanci për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se veriu i Kosovës,…