Osmani: Ende pa u bërë 24 orë, Serbia nuk e respektoi marrëveshjen

22 mars 2023 | 13:02

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se ka pasur takime të vazhdueshme me kryeministrin Albin Kurti, sa i përket takimit në Ohër.

Osmani ka bërë me dije se Kurtit i janë propozuar dokumente të tmerrshme, që sipas saj Kosova ka bërë mirë që nuk i ka pranuar.

“Me kryeministrin jemi takuar siç takohemi gjithnjë, edhe para takimit të kryeministrit në Bruksel edhe pas kthimit jemi takuar dhe kemi diskutuar në detaje para se të shkoj në Ohër. Jemi konsultuar edhe gjatë takimeve në Ohër, dhe jemi takuar edhe pasi ka përfunduar dakordimi në Ohër ku jemi njoftuar në detaje jo vetëm për dokumentet dhe versionet e ndryshme që kanë qenë para kryeministrit dhe delegacionit të Kosovës dhe më duhet të them se këto janë versione të tmerrshme të cilat Republika e Kosovës ka bërë mirë që nuk i ka pranuar pavarësisht presioneve jashtëzakonisht të padrejta që e kane trajtuar Kosovën në mënyrë shumë të pabarabartë në raport me palën tjetër”, ka thënë Osmani.

Këto komente Osmani i bëri gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë.

Presidentja shtoi se për të janë të papranueshme iniciativat e tilla nga faktori ndërkombëtar.

“Nganjëherë për mua si presidente është vështirë të besoj që dikush nga komuniteti ndërkombëtar e merr një iniciativë të tillë që të propozoj gjëra të tilla që e vendos vetëm njërën palë në një pozitë kaq të pabarabartë”, ka theksuar Osmani.

Ajo shtoi se aneksi për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ka shumë paqartësi.

“Aneksi ka lënë shumë gjëra të paqartësuara. Është dashur të paraqes në detaje si do të zbatohen edhe pikat tjera, si do të jenë penalizimet pastaj për moszbatim ta zëmë të nenit 4 nga ane Serbisë e shumë gjëra të tjera. BE-ja e ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë, që mendoj si qasje po e rrezikon procesin e dialogut dhe paqen në rajon, sepse po e inkurajon Serbinë në njëfarë mënyre që të prodhojë krizë pas krize”, është shprehur Osmani.

Osmani ka thënë se pala serbe vazhdon të mos e respektojë asnjë marrëveshje.

E para e shtetit, duke përmendur nen për nen, ka thënë se të gjitha do të mbesin në fuqi.

“Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, siç ndodhi edhe në shkurt, po ndodh edhe në mars, tregoi atë që dialogu nuk ka asnjë vlerë për të, as politike e as juridike. Rrjedhimisht e njoftoi bashkësinë ndërkombëtare që nuk do të zbatojë ato të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në platformën e tij, “Bobo TV”, Christian Vieri, në bashkëbisedimet…