
Osmani falënderon komunitetin egjiptian për kontributin e dhënë për Kosovën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Ditës së komunitetit egjiptian, ka pritur një delegacion të kryesuar nga deputeti Veton Berisha.
Osmani ka uruar komunitetin egjiptian në ditën e tyre dhe ka falënderuar ata për kontributin e tyre në shtetndërtimin e Kosovës.
Ajo ka thënë se diversiteti kulturor, etnik e religjioz janë të rëndësishme për promovim të vlerave të shoqërisë.
Ndërsa deputeti Veton Berisha, në emër të këtij komuniteti egjiptian i ka ndarë një mirënjohje kryetares Osmani, dhe ka kërkuar që dita e këtij komuniteti të përfshihet në kalendarin e festave zyrtare të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, deputeti Berisha ka përmendur problemet e komunitetit egjiptian me përfshirjen në jetën institucionale dhe mospërfshirjen e fëmijëve të këtij komuniteti në mësimin online.