Osmani i jep mbështetje Grupit Punues për Hartimin e Rregullores së re të Kuvendit

19 tetor 16:25

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dhënë mbështetje të plotë Grupit Punues për Hartimin e Rregullores së re të Kuvendit.

Gjatë takimit të mbajtur të hënën me anëtarët e grupit për hartimin e kësaj rregulloreje, kryetarja Osmani ka shfaqur besimin e saj se duke u bazuar edhe në draft-rregulloren e hartuar në legjislaturën e kaluar, do të hartohet një dokument funksional, profesional, si dhe do të arrihet unitet politik.

“Shpresoj se draft-rregulloren e hartuar në legjislaturën e kaluar do ta analizoni në detaje. Ku është në rregull, të mbetet ashtu siç është, kurse ku ka nevojë, të bëhen ndryshime profesionale, duke u bazuar edhe në praktikat e mira parlamentare. Uroj që puna e juaj të kulmojë me miratimin e Rregullores së re të Kuvendit brenda kësaj legjislature”, ka thënë Osmani, duke shtuar se disa mangësi në rregulloren aktuale kanë ndikuar në punën dhe uljen e besimit të Kuvendit te qytetarët.

Kryeparlametarja Osmani ka falënderuar NDI-në, KDI-në, si dhe organizatat tjera joqeveritare për angazhimin e tyre në hartimin e Rregullores së re të Kuvendit.

Ndërkaq, kryetari i Grupit Punues për Hartimin e Rregullores së re të Kuvendit, Shkëmb Manaj, pasi ka falënderuar kryeparlamentaren Osmani për mbështetjen e ofruar, përfshirë edhe atë profesionale, e ka paraqitur një rezyme të punës së këtij grupi.

Ai ka thënë se në hartimin e Rregullores së re të Kuvendit, përveç çështjeve të tjera, do të merren parasysh edhe aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe rrethanat e reja të krijuara si pasojë e pandemisë Covid-19.

Po ashtu, Manaj, ka theksuar se do të jenë të kujdesshëm që kjo rregullore në jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Pasi që ka vullnet politik, Manaj ka thënë se shpreson që Rregullorja e re e Kuvendit të votohet në lexim të dytë rreth mesit të dhjetorit të këtij viti.

Edhe anëtaret e këtij grupi, Donika Kadaj- Bujupi dhe Evgjeni Thaçi- Dragusha, kanë vlerësuar se është shumë e rëndësishme që Kuvendi sa më shpejt ta ketë rregulloren e re, duke marrë parasysh edhe draft-rregulloren e hartuar në legjislaturën e kaluar.

Mbështetje Grupit Punues për Hartimin e Rregullores së re, i ka dhënë edhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi. “Rregullorja e re po i mungon Kuvendit, marrë parasysh edhe rrethanat e reja”, ka vlerësuar Krasniqi.

Në këtë takim është diskutuar edhe për detaje të tjera të rëndësishme që duhet t’i përmbajë Rregullorja e re e Kuvendit.

(Faton Dërmaku / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeqendra e Shqipërisë ishte nikoqire e Festivalit të talentëve të…