Osmani kërkon ndihmën e Komisionin Evropian për liberalizimin e vizave

12 janar 2021 | 14:32

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Komisionarin e Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Me këtë rast, Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj BE-së për përkrahjen e vazhdueshme të BE-së për Republikën e Kosovës, e sidomos përgjatë periudhës së përballjes me pandeminë Covid-19.

Osmani ka thënë se procesi i integrimit në BE është ndër qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, duke konfirmuar vullnetin e institucioneve të vendit dhe të gjithë qytetarëve për avancim të mëtutjeshëm në këtë proces.

“Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se mungesa e ambicies ose angazhimit nga secila palë në procesin e integrimit evropian do të thotë që mbështetja dhe besimi i qytetarëve në rrugën e integrimit në BE mund të dëmtohet”, ka potencuar Osmani.

Më tutje, Osmani ka ritheksuar faktin se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kriteret formale për liberalizimin e vizave për zonën Schengen.

Në këtë kontekst, Osmani ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi, teksa ka kërkuar edhe ndihmën e Komisionit Evropian për t’i bindur shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani ka potencuar nevojën e unifikimit të gjithë spektrit politik në vend rreth këtij procesi në mënyrë që ai të përfundojë suksesshëm.

Ajo ka kërkuar që BE të jetë e zëshme në raport me Serbinë në mënyrë që ky shtet t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paul Pogba është një synim i trajnerit të Real Madridit,…