Osmani: Kosova e Shqipëria duhet t’i qëndrojnë pranë njëra-tjetrës

17 dhjetor 2020 | 14:23

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Shqipëri ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.

“Jam tepër e lumtur që sot më është dhënë mundësia që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, t’u drejtohem përfaqësuesve të zgjedhur, e nëpërmjet tyre, bashkëkombësve të mi gjithandej botës! Është kënaqësi e veçantë që si përfaqësuese e popullit të Kosovës të mund ta bëj këtë në shtetin e shqiptarëve, këtij kombi të lashtë, i cili i ka dhënë aq shumë kulturës e qytetërimit perëndimor”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët, raporton “Epoka e re”.

“Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E, megjithatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë!”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan.

“Ne, e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh nën një regjim shtypës, në të cilin rrënjët etnike janë argument i mjaftueshëm për të qenë i shtypur e i vrarë; ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për të. Historinë e kemi në krah. Këtë rrugëtim ne e bëmë bashkë me miqtë tanë të shumtë, të cilëve do t’u jemi përjetësisht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës që nga dita e parë e çlirimit”.

“Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, si e para grua në këtë detyrë, dhe si presidente në detyrë e Republikës, unë dua t’i thërras sidomos të rinjtë e vendeve tona, e sidomos vajzat e gratë e këtij vendi që të ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen: të mos dorëzohen para asnjë sfide dhe të këmbëngulin në vlerat e tyre. Një ditë ato do të jenë aty ku duan dhe ku e meritojnë, në majat më të larta të profesioneve të tyre, të politikës e të bizneseve. Sepse sikurse çdo shtet tjetër, edhe Kosova e Shqipëria do të kenë sukses vetëm atëherë kur të shfrytëzojnë edhe potencialin e 50% të popullatës së tyre, që e përbëjnë gratë. Të rinjtë tanë, në Kosovë dhe në Shqipëri, janë kapitali ynë më i çmuar. Ata janë ambasadorët tanë në botë, me të cilët po krenohemi çdo ditë e më shumë. Andaj, është obligim i yni që çdo gjë që bëjmë sot, ta bëjmë në mënyrë të tillë që atyre t’u garantojmë një të tashme më të mirë e një të ardhme më premtuese”, ka thënë Osmani.

Në këtë fjalim, Osmani ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka pohuar se sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur. “Ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës. Prandaj edhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tanë, ata do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka theksuar se askush në trojet shqiptarët nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse, sipas saj, fytyra e vërtetë e Serbisë është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh.

“Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdo kund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Që çdo përfaqësues shqiptar, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni e tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tonë që u dhunuan nga serbët si krim lufte, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku të derdhin lotët e ku të vendosin lule, sepse Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të jep akoma më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1.000 fëmijë, shpirtra të njomë, të cilët sot do të mund të ishin këtu ku jemi ne, në këtë sallë ku merren vendimet për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia mos t’ua këpuste jetën qysh në fillim”, ka thënë Osmani.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e kemi detyrë kombëtare, e mbi të gjitha detyrë morale, që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri, për gjithë rajonin tonë, fillimisht të lexojmë, të kuptojmë, e të mësojmë mirë, kapitullin që akoma qëndron para nesh.

“Ky kapitull na mëson se duhet t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra që nuk kursejnë asgjë për njëra tjetrën. Ky kapitull po ashtu na mëson se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën anti-shqiptare, dhe përpjekjet për të fshehur krimet. T’i bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. Sepse ekziston vetëm dhe vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë, kurse Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së vet”, ka deklaruar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agim Çitaku shpall të pavlefshme dëftesën e shkollës fillore "Faik…