Osmani në Ditën e Boshnjakëve: Ndajmë historinë e përbashkët të gjenocidit serb

28 shtator 2023 | 15:27

Në Ditën e Boshnjakëve, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka ndarë mirënjohje dhe dekorata disa nga personaliteteve të shquara të këtij komuniteti për kontributin e dhënë në shtetndërtim.

Osmani ka thënë se populli i Kosovës është mirënjohës ndaj komunitetit boshnjak, me të cilin ndan “një histori të përbashkët të dhimbjeve, vrasjeve, persekutimeve, deri tek gjenocidi i kryer kundër nesh”. “Është një mundësi e shkëlqyer për t’i vlerësuar edhe një herë të arriturat tuaja, rolin tuaj në procesin e lirisë e të pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike në vendin tonë. Populli i Kosovës ju është mirënjohës për kontributin tuaj historik në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike. Boshnjakët sot janë pjesë e rëndësishme e jetës demokratike të vendit tonë. Ne ndajmë një histori të përbashkët të dhimbjeve, vrasjeve, persekutimeve deri tekë gjenocidi i kryer kundër nesh”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se synimet hegjemoniste të Serbisë nuk po ndalen ende, por se Kosova nuk do të zmbrapset asnjëherë për vendosjen e rendit dhe ligjit. “Synimet hegjemoniste të Serbisë nuk po ndalen as sot siç ndodhi edhe me sulmin e fundit terrorist, akti agresioni kundër vendit tonë ku u vra rreshteri policor Afrim Bunajku. Për vendosje të rendit e ligjit dhe të mbrojtjes së sovranitetit nuk do të zmbrapsemi asnjëherë. Kosova është shtet përgjithmonë dhe shtëpi e të gjithëve, e tillë do të mbetet për herë”, ka thënë Osmani.

Me këtë rast, ajo për ish-luftëtarin e UÇK-së, Nehat Demiri, ka ndarë çmimin post-mortum “Urdhri i Lirisë”.

Me dekorimin post-mortum është dekoruar edhe akademiku Jashar Regjep Agiq. Ai është dekoruar me medaljen  presidenciale të meritave, për kontributin në arsimin dhe promovimin e identitetit boshnjak në Kosovë. Me dekorimin post-mortom është dekoruar edhe Nuredin Jonuzin. Po ashtu, atij i është ndarë medalja e meritave për kontribut të lartë për arsimin, kulturën dhe promovimin e identitetit kombëtar të komunitetit boshnjak në Kosovë.

Presidentja ka dekoruar post-mortum edhe Alija Gjogoviq me medaljen e meritave për kontribut të lartë për arsimin, kulturën dhe promovimin e identitetit kombëtar të komunitetit boshnjak në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka kritikuar Serbinë lidhur me shpalljen e ditës…