
Osmani në kampin ‘Bondsteel’: Ushtria e Kosovës nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e ShBA-së
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten u është drejtuar me një fjalim me rastin e Natës së Krishtlindjes ushtarëve amerikanë në kampin “Bondsteel”, në Ferizaj.
Ajo ka falënderuar ushtarët amerikanë për prezencën e tyre në Kosovë.
“Është një kënaqësi të jem këtu para jush si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Natën e Krishtlindjes. ShBA-ja kanë qenë për shumë kohë një mik i dedikuar i Kosovës dhe besoj se do të vazhdojë të jetë kështu. Këtë vit Kosova ka shënuar 21-vjetorin e lirisë dhe 12-vjetorin e pavarësisë. Ushtria e Kosovës është krenaria jonë e madhe e cila nuk do të ishte e mundur të krijohej pa mbështetjen e ShBA-së. Angazhimi juaj për stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkan është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ne jemi përherë mirënjohës. Dua të ju falënderoj për kontributin tuaj dhe të ju falënderoj për prezencën e vazhdueshme në Kosovë”, ka thënë Osmani.
Më tutje, Osmani u ka treguar ushtarëve amerikanë për eksperiencën e saj në Amerikë dhe mikpritjen e familjeve amerikane sikur të ishte në Kosovë.
“Amerika mban një vend special në zemrën time, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, por edhe për shkak se kam pasur privilegjin të jetojë në Pensilvani gjatë studimeve të mia dhe populli amerikanë më ka mirëpritur sikur të isha e tyre. Kam marrë pjesë në shumë darka të Ditës së Falënderimeve dhe Krishtlindjes në familjet amerikane dhe mikpritja e tyre më ka bërë të ndjehem si në shtëpi”, ka thënë Osmani.