
Osmani në takim me Kallasin në Nju-Jork kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës
Në kuadër të vizitës së saj në Nju-Jork, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian (BE) për punë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.
Në fokus të takimit ishin zhvillimet e fundit në Kosovë dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidentja Osmani ka theksuar se integrimi i Kosovës në BE mbetet një nga prioritetet kryesore të agjendës shtetërore.
Ajo ka ritheksuar kërkesën për heqjen e masave që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për të gjithë qytetarët.
“Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.