Osmani në Tokio edhe për politikë: Japonia, partnere strategjike e Kosovës
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se vizitën në Japoni është duke e shfrytëzuar edhe për takime zyrtare, ku kanë marrë përkrahje në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Osmani në Tokio, ku përveç mbështetjes që po i bën ekipit olimpik të Kosovës, gjithashtu është duke e shfrytëzuar edhe si vizitë zyrtare, pasi ka takuar kryeministrin e Japonisë,Yoshihide Suga, ministrin e Jashtëm,Toshimitsu Motegi, si dhe zyrtarë të tjerë.
Me këtë rast, Osmani ka deklaruar për “Kosovapress”, ka thënë se gjatë këtyre takimeve po bisedojnë për mundësinë e bashkëpunimit në shumë fusha.
“Po bisedojmë për mundësinë e mëdha të bashkëpunimit në radhë të parë për politikën e jashtme, pra për të marrë përkrahjen e kryeministrit, ministrit të jashtëm japonez dhe të tjerëve në mënyrë që Kosova ta fuqizojnë subjektivitetin e vet ndërkombëtar me më shumë njohje dhe anëtarësime, por në anën tjetër për bashkëpunim në fusha të tjera, pra kemi shumë takime”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Japonia e di që te Kosova ka partneren më të besueshme në Ballkanin Perëndimor.
Ajo pritet që gjatë ditës së nesërme të ketë takime me organizata ekonomike dhe tregtare për të ftuar për investime në Kosovë.
“Nesër do të kemi takime me një sërë organizatash ekonomike dhe tregtare për të folur për thithjen e investimeve japoneze në Kosovë sepse siç e dini Kosova ka dëshmuar se Japoninë e ka partner strategjikë në këtë pjesë të botës, në këtë kontinent, asnjëherë nuk ka lejuar ndikime të tjera ta zëmë nga Kina apo Rusia, prandaj edhe Japonia e di që e ka Kosovën si partnerin më të besueshëm në Ballkanin Perëndimor e rrjedhimisht do të duhej ta shihte si vendin me potencialin më të madh për investitorët japonezë, sidomos të fushën e prodhimtarisë, aty pastaj të eksportonin në vende të tjera të Evropës për shkak të afërsisë tonë gjeografike”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani është paraparë që me datë 27 korrik të kthehet në Kosovë.