Osmani: Opozita do të dështojë

03 shkurt 2020 | 15:38

Pas shkuarjes në pauzë njëorëshe, deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka folur para gazetarëve.

Ajo ka thënë se fjalimet e opozitës janë propagandë e tyre, duke thënë se me këtë qasje do të dështojë.

“Konsideroj se është diskutim normal opozitar edhe pse nganjëherë kalon në fyerje të panevojshme, megjithatë besoj se ata kanë marrë një detyrë për të krijuar një lloj hutie tek qytetarët përmes propagandës, por që detyrë që absolutisht do të dështojnë. Çka është e rëndësishme për ne që kemi fituar mandat për të qenë këtu është që sot të kemi votim të suksesshëm të qeverisë së Kosovës dhe menjëherë të vazhdojmë me shpalosjen e programit qeveritar”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, sa i përket dorëheqjes së Konjufcës, Osmani ka thënë se ai nuk ka nevojë të japë dorëheqje pa u emërua si ministër.

“Sa i përket Konjufcës, ai do të largohet nga pozita e tij pas ti të zgjidhet ministër. Sepse mandati i tij përfundon në momentin kur të zgjidhet ministër. Në momentin që votohet për ministër, pozita e tij mbetet vakante. Por kur do të ndodh kjo, do të mbetet në koordinim të grupeve tona parlamentare”, ka thënë ajo, duke potencuar se nuk do të ketë vonesa për këto ndërrime postesh.

Sa i përket bashkëpunimit me Listën Serbe, Osmani ka thënë se për një gjë të tillë duhet pyetur Albin Kurti, megjithatë ka theksuar se partia e Goran Rakiqit edhe nëse nuk do të jetë pjesë e koalicionit kanë të drejtë të kenë ministrin e tyre.

“Për Listën Serbe do të merrni më shumë detaje nga mandatari për kryeministër. Ata edhe pse s’janë pjesë e koalicionit, kanë të drejtë të kenë ministrin e tyre në kabinet qeveritar. Ata duhet ta shohin ditën e sotme, si ditë që përmes votës do të realizojnë interesat e tyre në Kosovë. Ne synojmë që të gjitha komunitetet ti bëjmë të ndihen të barabarta, sepse këto të drejta ua kemi garantuar me Kushtetutë”, ka deklaruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në panairin ndërkombëtar të turizmit “Roma Travel Show”, ku po…