Osmani pret mbështetjen e Polonisë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës

15 korrik 2022 | 11:18

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Polonisë, Zbigniew Rau, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së.

Në takim me ministrin Rau, presidentja Osmani diskutoi për rolin e OSBE-së në mbështetjen e institucioneve të Republikës përgjatë dy dekadave të fundit, si dhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Sipas Osmanit, Kosova ka shënuar progres në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdimisht është palë konstruktive dhe se procesi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

Përveç kësaj, me ministrin Rau, presidentja Osmani diskutoi edhe për përkushtimin e Kosovës për ta mbështetur popullin ukrainas, i cili po përballet me luftën e paprovokuar të Rusisë, për thellimin e marrëdhënieve miqësore me Poloninë, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Osmani tha se llogarisin në mbështetjen e Polonisë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.

“Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në mënyrë aktive për një Evropë më të bashkuar, më paqësore dhe më demokratike”, ka theksuar presidentja Osmani në takim me ministrin e Jashtëm polak.

Osmani në takim me ministrin Rau ka folur edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare me të cilën përfitojnë të gjithë qytetarët pa dallim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi shqiptar, Armando Broja është lënduar gjatë fazë përgatitore me…