Osmani rikthehet në punë, shërohet nga Covid-19

02 dhjetor 2020 | 12:23

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani është rikthyer në punë pasi ka fituar betejën me Covid-19.

Osmani ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të kujdesën për vete në këtë kohë pandemie.

“Të gëzojmë bekimet tona duke treguar kujdes. Duke u kujdesur për veten, kujdesemi edhe për të tjerët.
Prandaj, edhe njëherë: distanca, duart, maska!”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Osmanit:

Jam rikthyer në zyre pas një izolimi dyjavor për shkak të virusit Covid-19. Kam bërë thirrje gjithnjë, e tani pas eksperiencës time dhe të familjes time me virusin, ju lutem sërish që të bëni kujdes të shtuar e të vazhdueshëm.

Tashmë virusi është çdoku. Ne ishim me fat ta luftojmë virusin me sukses, por, fatkeqësisht, ky nuk është fati i të gjithëve.

Covid-19 ka lënë shumë familje pa më të dashurit e tyre, i ka rrëmbyer ata padrejtësisht pa pasur mundësinë për të dhënë përshëndetjet e fundit.

Derisa bashkëndjejmë me ata që janë goditur më së shumti, inkurajojmë̈ ata që janë në vijën e parë të frontit me virusin, e nderojmë kujtimin e atyre që nuk janë më në mesin tonë, ky fundvit le të na shërbejë për të reflektuar mbi atë se çfarë çmojmë më së shumti në jetë, çka na bashkon, dhe çka na jep motiv të dalim triumfues ndaj këtij armiku të përbashkët.

Të vlerësojmë e të jemi falënderues për njerëzit që janë në jetët tona, e mënyra më e mirë për t’u dëshmuar dashurinë e respektin në këto kohë është duke mbajtur distancën, pastruar duart, e duke mbajtur maskën.

Të gëzojmë bekimet tona duke treguar kujdes. Duke u kujdesur për veten, kujdesemi edhe për të tjerët.
Prandaj, edhe njëherë: distanca, duart, maska!

Faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjitha ndeshjet e xhiros së dhjetë të Superligës së…