Osmani: Serbia po e shkelë marrëveshjen për të zhdukurit duke mos i hapur arkivat

27 prill 2024 | 11:11

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë se po vazhdon ta shkelë një marrëveshje të Brukselit mes dy vendeve për personat e pagjetur, duke i shpërfillur kërkesat e Kosovës për hapjen e arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe në lidhje me mijëra personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së viteve 1998/1999 në Kosovë.

Duke folur pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit më 27 prill në Prishtinë, Osmani tha se “edhe sot Serbia vazhdon që të bëjë krim të dyfishtë, sepse njëherë e kreu krimin, e pastaj bëri çmos që ta fshehë atë, duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vjet më vonë”.

Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve me Forcë gjatë luftës. Rreth 6,000 njerëz u zhdukën gjatë luftës së fundit, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur.

“Përkundër faktit se kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti, i ka dërguar letra Serbisë disa herë, duke i kërkuar që…të hapen arkivat për të dhënat e brigadave policore dhe ushtarake, për të cilat ka dëshmi që kanë marrë pjesë në masakra por edhe në operacione pas luftës për fshehjen e trupave – Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen e këtyre kërkesave dhe vazhdon ta shkelë këtë marrëveshje të arritur në Bruksel”, tha Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është gjobitur një shofer me 500 euro, pesë pikë negative…