Osmani takon ambasadorin britanik, flasin për zhvillimet e fundit politike në vend
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.
Presidenca ka njoftuar se presidentja ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë.
Osmani gjithashtu diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë tranzicionale, përfshirë mbështetjen për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, si një institucion kyç për dokumentimin e së vërtetës dhe promovimin e drejtësisë.
“Në përmbyllje, presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushën sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë, si dhe të drejtave të njeriut”, ka njoftuar Presidenca.
Në vazhdë të kësaj është diskutuar edhe për përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, siç është diskutuar me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së tij në Kosovë.



