Osmani: Të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta

25 tetor 2020 | 17:07

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar në llogarinë e saj në “Facebook” për të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë.

Ajo ka thënë se të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta. “Së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria, sa që një pjesë e madhe zgjedhin t’i vuajnë pasojat emocionale e traumatike në heshtje e izolim të plotë. E mbi të gjitha, ato duan drejtësi. Këto gra nuk janë vetëm!”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se në njërën anë, ato kanë mbështetjen e organizatave si Medica Gjakova, të cilën e vizituan këto ditë, e organizatave të tjera simotra që nuk reshtin së rezistuari çfarëdo presioni.

“E në anën tjetër, na kanë ne të cilët ju përkulemi përpara qëndresës së pashoq përballë dhimbjes e vuajtjes që ato përjetojnë. Por ne mbështetësit e tyre jemi ende të paktë në numër. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbështetje, por ka të bëjë me kuptimin e vërtetë të vuajtjes e pasojave shkatërruese shumëdimensionale të luftërave. Të jemi aty për të mbijetuarit, do të thotë të jesh aty për t’u ballafaquar plotësisht me të kaluarën, për të udhëhequr shoqërinë tonë drejt një rehabilitimi të shëndoshë, solidar, e me me mirëkuptim të plotë për vuajtjet e brengat e secilës e secilit. Mbi të gjitha, të jesh me to, do të thotë të kërkosh çdo ditë e me ngulm drejtësi”, ka shkruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vjen humbja e parë në kampionat për Evertonin e Carlo…