Osmani viziton repartin e hemato-onkologjisë, uron shëndet dhe shërim për fëmijët
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e fundit të vitit ka vizituar fëmijët e shtruar në repartin e hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë.
Gjatë kësaj vizite, Osmani ka theksuar se në këtë repart koha ecën më ngadalë, por shpresa mbetet e fortë, duke nënvizuar se fëmijët e shtruar aty janë një dëshmi se shpresa nuk shuhet kurrë dhe se dashuria është forca më e madhe shëruese.
“Në ditën e fundit të këtij viti, aty ku forca matet me buzëqeshje të vogla dhe guximi me zemra të mëdha, vizituam fëmijët në repartin e hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë. Aty koha ecën më ngadalë, por shpresa rreh më fort. Në prag të Vitit të Ri, ata na kujtuan se shpresa nuk shuhet kurrë dhe se dashuria është forca më e madhe shëruese”, ka thënë Osmani.
Përmes një postimi në “Facebook”, presidentja ka falënderuar stafin e këtij reparti për punën e tyre të jashtëzakonshme dhe për përkushtimin ndaj fëmijëve që po trajtohen.
Në fund, Osmani ka uruar që viti i ri të sjellë shëndet, shërim, gëzim dhe mrekulli të vogla e të mëdha për këta fëmijë dhe për familjet e tyre.



