
Osmanit i kërkohet ta shkarkojë Sami Kurteshin nga KQZ-ja
Demokraci Plus (D+) ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi.
“Ne konsiderojmë që anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, me veprimet e tij, është duke dëmtuar seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, z. Kurteshi ka pranuar që është përfshirë në një incident me një nëpunës të KQZ-së, duke marrë përsipër rolin e policisë, në vend se të denoncoi në organet përgjegjëse personin në rast të mosrespektimit të masave për mbrojtje nga Covid-19. Një ditë më herët, z. Kurteshi kishte deklaruar se nuk e ka sulmuar askënd. Ndryshimi i deklaratave nga një i emëruar publik është moralisht e gabuar. Ky nuk është rasti i vetëm kur z. Kurteshi dëmton integritetin e KQZ-së. I njëjti, në vazhdimësi në mbledhjet e KQZ-së ka përdorur gjuhë fyese dhe përçarëse, mizogjene, dhe bullizëm. Andaj, kërkojmë nga presidentja Osmani-Sadriu, që duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nenin 61 paragrafi 5, shkronja d, të shkarkojë anëtarin e KQZ-së Sami Kurteshin, për të mbrojtur statusin dhe integritetin e KQZ-së”, është thënë në kërkesën e Demokraci Plus.