
OVLUÇK-ja: S’mjafton kërkimfalja, kryeparlamentari Basha të shkarkohet menjëherë
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë reaguar ndaj kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, duke thënë se kërkimfalja e tij publike nuk është e mjaftueshme.
Në reagimin e tyre është thënë se qëndrimet e Bashës, të shprehura në një punim shkencor të vitit 2012, cenojnë luftën çlirimtare dhe UÇK-në, duke rënë ndesh me betimin kushtetues që ai ka dhënë si deputet dhe Kryetar i Kuvendit.
“Respekti ndaj themeleve të shtetit tonë, të ngritura mbi sakrificën e dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë, është i panegociueshëm. Për këtë arsye, Dimal Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit”, është thënë në reagim.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë njoftuar se tashmë u kanë dërguar një kërkesë zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nisjen e procedurës për shkarkimin e Bashës dhe janë në pritje të veprimeve të tyre.