Pacolli merr mbështetje për liberalizimin e vizave

19 dhjetor 2017 | 16:09

Republika e Kosovës dhe Republika e Sllovenisë do të thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve dhe për këtë qëllim do të mbahet një Forum Ekonomik brenda tre muajve të ardhshëm.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se nga shteti mik dhe partnerë slloven do të kemi mbështetjen e plotë në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për anëtarësimin e plotë në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës, Interpol dhe UNESCO.

Këto komente Pacolli i ka bërë pas takimeve të ndara, që i ka zhvilluar sot në kryeqytetin slloven Lubjanë, me krerët më të lartë të këtij shteti, duke përfshirë homologun e tij, Karl Erjavec, presidentin, Borut Pahor dhe me kryetarin e Parlamentit, Milan Brglez.

Me qëllimin e thellimit dhe intensifikimit të mëtejmë të Bashkëpunimit Ekonomik në mes të dyja vendeve do të themelohet edhe një Komision për Bashkëpunim Ekonomik në nivel ministrash.

Kosova dhe Sllovenia kanë pasur marrëdhënie tradicionalisht të mira dhe ky shtet mik dhe partner, kishte mbështetur Kosovën dhe kishte hapur dyert për shumë intelektualë shqiptarë nga Kosova edhe në kohën kur ajo përballej me represionin serb dhe shkeljen sistematike të të drejtave të njeriut.

Kjo frymë e marrëdhënieve miqësore në mes dy vendeve dhe popujve mbizotëron edhe më tej në të gjitha nivelet dhe një kontribut të rëndësishëm në forcimin e këtyre lidhjeve e ka dhënë edhe diaspora e Kosovës që jeton dhe vepron në këtë shtet.

Që nga shpallja e pavarësisë së vendit, Sllovenia llogaritet si njëri nga shtetet me nivel të lartë të investimeve të huaja direkte në vend dhe në tregun e Kosovës sot operojnë qindra kompani me kapital slloven.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Sindikale (FS) e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK)…