Pacolli publikon konkluzionet e Gjykatës së Lartë në favor të MABCO për Aeroportin e Vlorës, përsërit thirrjen për SPAK-un
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Shqipëri lidhur me çështjen e Aeroportit të Vlorës, ku i është dhënë e drejta kompanisë MABCO, ka reaguar Behgjet Pacolli.
Kompania MABCO pritet të rikthehet në kantierin e Aeroportit të Vlorës për të vijuar punimet, së bashku me nënkontraktorët e saj. Vendimi i shkallës më të lartë të gjyqësorit i rikthen MABCO-s të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare, duke rrëzuar vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjykimit.
Pacolli ka publikuar konkluzionet e Gjykatës së Lartë dhe ka theksuar se një projekt strategjik kombëtar është mbajtur peng.
Në këtë kontekst, ai ka bërë thirrje që SPAK të nisë hetimet.
“Andaj edhe një herë ftojmë SPAK-un të vazhdojë hetimin e thellë, që të identifikohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet e secilit person përgjegjës, e në veçanti të atyre që e orkestruan, e urdhëruan dhe e ekzekutuan këtë skandal të rëndë, i cili dëmtoi rëndë imazhin dhe dinjitetin e familjes sime, cenoi të drejtën tonë kushtetuese për t’u mbrojtur nga veprimet e paligjshme, kufizoi lirinë tonë të lëvizjes, na mohoi të drejtën për të punuar dhe cenoi të drejtën tonë të pronës dhe ushtrimin e ligjshëm të saj”, ka deklaruar Pacolli.



