Pacolli publikon letrën: Kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për Aeroportin e Vlorës
Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se kompania MABCO i ka dërguar një tjetër letër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, duke kërkuar që specialistëve të saj dhe nënkontraktorëve t’u lejohet hyrja në terminalin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës për të përfunduar punimet e mbetura dhe për të nisur procesin e certifikimit.
Pacolli theksoi se Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka konstatuar paligjshmërinë e masave që penguan ushtrimin e të drejtave të MABCO-s, por sipas tij, pavarësisht këtij vendimi, hyrja në kantier vazhdon të bllokohet.
Ai kërkoi respektimin e ligjit dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore për të përfunduar investimin strategjik.
E plotë:
Për hir të transparencës, po publikojmë edhe letrën e radhës që i kemi drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes së cilës kërkojmë që të mundësohet hyrja në terminal e specialistëve të MABCO-s dhe e nënkontraktorëve të saj, me qëllim përfundimin e punimeve të mbetura dhe fillimin e procesit të certifikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Siç tashmë është e njohur, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë ka konstatuar paligjshmërinë e masave që penguan ushtrimin e të drejtave të MABCO-s, duke rrëzuar vendimet mbi të cilat u mbështet bllokimi i projektit.
Pavarësisht kësaj, edhe sot vazhdon të pengohet hyrja në kantier dhe zbatimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Lartë.
Ne besojmë se transparenca, respektimi i ligjit dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore janë rruga e vetme për të përfunduar këtë investim strategjik në interes të qytetarëve dhe të Republikës së Shqipërisë.



