PAGARUSHA DHE SHKODRA!

07 shkurt 2020 | 17:54

Bedri Islami

Mbrëmja që rend drejt qiellit e lë Kosovën sot pa një mit.
Trëndafilat e këngëve të saj na mbetën në duar si plagë.
Tani ajo do të ikë qiejve, pa harruar se kënga e saj mund të ishte çati e botës sonë.
Muzgu i fundit i saj në këtë botë që e deshi si pak kush dhe i fali shkrepëtimat e ëndrrave!
Kam shkruar për këngën e saj kur isha student në vitin e parë, por e kam takuar vetëm pas luftës.
Ato ditë fundqershori 1999 rrinim , së bashku me Shaban Shalën e Negrovcit, në shtëpinë e porsanisur të Ramadan Avdiut, në Prishtinë.
-A vemi tek Pagarusha? – e pyeta mikun tim.
Dhe shkuam. Një zonjë e rëndë, sikur kishte ardhur në të rënduarën botën tonë nga mitet, magjike, duke gjetur prehje në dhimbjen e saj, dukej si bijë e hënës. Pa moshë. “Bareshë” apo një perëndeshë ilire e ringritur?
Nuk qëndruam gjatë. Ose, më saktë, qëndrimi na është dukur i shkurtër. Sa pak kemi shkruar për të: pafundësisht pak.
Kur po ndaheshim , më pyeti për miqtë e saj në qytetin tim të lindjes, Shkodrën.
Pastaj shtoi: “Shkodra të këndell të bësh art. Karafilat e saj, medet, sa të bukur janë”.
A do i dërgojë dikush nga Shkodra një tufë karafilash “bareshës” që mrekulloi gjithçka?
Tani që nuk është më e dimë se dashuria jonë nuk e sjell më në këtë jetë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
11.02.2020 Punime nga palët e treta Prishtina 1. TS 35/10…