Pajaziti i PDK-së kritikon Kurtin: Rregulloren e BQK-së e bëri temë në dialog

25 shkurt 2024 | 13:16

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, i cili sipas tij, rregulloren e BQK-së që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa brenda Kosovës, e ka bërë temë në dialog.

Ai ka thënë se për shkak të qasjes së gabuar dhe populiste të Kurtit, çështjet e brendshme të Kosovës po bëhen temë në dialogun me Serbinë në Bruksel.

“Po t’i lihej në dorë BQK-së ose po të mos përzihej qeveria me tendenca që të nxjerr këtë çështje me populizëm si një sukses të qeverisë, kjo do të zgjidhej më mirë. Qeveria s’ka bërë asnjë përpjekje kreative për ta trajtuar këtë çështje. Për më tepër e ka ngritur çështjen e dinarit si një çështje të dialogut. Kjo qeveri ka përgjegjësi të plotë që dinarin, e bëri temë të tillë, e cila po i kushton qeverisë dhe neve si vend. Këta sikur edhe herët të tjera, kanë hyrë në tema pa një marrëveshje me partnerët, ata që ne kemi pas vazhdimisht koordinim të plotë dhe pastaj tërheqja na ka kushtuar shumë”,  ka thënë Pajaziti për “Kosovapress”.

Ai ka theksuar se raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtar, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shqetësuese.

“Kemi një situatë, e para prej se ne jemi shtet i pavarur që na është dhënë një qëndrim i tillë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prej aleatëve tanë sikurse ky tani. Çështjet si kjo që qeveria jonë i ka trajtuar për zgjidhje, në mënyrën si ka trajtuar, siç është dinari dhe çështje të mëhershme të tabelave, janë mënyra më populiste të trajtimit të tyre. Nuk kemi të bëjmë me një seriozitet të zgjidhjes së këtyre problemeve që kanë qenë pjesë e dialogut, por veprime krejtësisht populiste, që më shumë sesa një tentim për t’i zgjidh këto probleme një herë e mirë, kanë për qëllim joshjen e votuesve për proceset e ardhshme zgjedhore. Kjo e dëmton veçanërisht interesin tonë si vend dhe relacionin me partnerët tanë dhe miqtë tanë për më tepër”,  ka thënë Pajaziti.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rrahje mes disa personave ka ndodhur në rrugën “Isa…