Pakistani dërgon 8 mijë trupa dhe skuadra avionësh luftarakë në Arabinë Saudite

19 maj 2026 | 08:14

Pakistani ka dislokuar rreth 8 mijë trupa ushtarake, një skuadrilje avionësh luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Arabinë Saudite, në kuadër të një pakti të ndërsjellë mbrojtjeje mes dy vendeve.

Lajmi është konfirmuar për Reuters nga disa burime të sigurisë dhe qeveritare, të cilat e përshkruajnë këtë si një forcë të konsiderueshme ushtarake, e gatshme për luftim në rast se mbretëria saudite përballet me sulme të tjera, përcjell A2 CNN.

Sipas burimeve, Pakistani ka dërguar rreth 16 avionë luftarakë JF-17, të prodhuar bashkë me Kinën, si dhe dy skuadrone dronësh. Gjithashtu është vendosur sistemi kinez i mbrojtjes ajrore HQ-9. Pajisjet operohen nga personel pakistanez, ndërsa financohen nga Arabia Saudite.

Dy zyrtarë sigurie thanë se trupat dhe personeli ajror do të kenë kryesisht rol këshillues dhe trajnues gjatë tensioneve me Iranin. Megjithatë, mijëra ushtarë pakistanezë me rol luftarak ndodheshin tashmë në Arabinë Saudite edhe para kësaj marrëveshjeje, shkruan A2 CNN.

Një burim qeveritar deklaroi se pakti sekret i mbrojtjes parashikon mundësinë e dislokimit deri në 80 mijë trupave pakistaneze për mbrojtjen e kufijve sauditë. Marrëveshja përfshin edhe vendosjen e anijeve luftarake pakistaneze, megjithëse nuk është konfirmuar nëse ato kanë mbërritur në rajon.

Kjo vjen ndërsa Pakistani po luan edhe rolin e ndërmjetësit kryesor në konfliktin Iran-SHBA, duke ndihmuar në arritjen e armëpushimit mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi,…