Pandemia nuk ndal punën e Gjykatës Speciale

28 prill 2020 | 19:32

Gjykatësi Ndërkombëtar, Francezi Nicolas Guillou është gjykatësi i cili po i shqyrton aktakuzat e Prokurorit të specializuar në Hagë në procedurën paraprake, pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Përmbajtja e aktakuzave të prokurorit amerikan Jack Smith, mbahet në konfidencë derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato.

Aktakuzat e para u ngritën në shkurt të këtij viti, dhe një tjetër u ngrit të martën më 28 prill. Gjykatësi Guillou ka maksimum gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat. Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar.

Zëdhënësja e Dhomave të specializuara Angela Griep, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se përkundër futjes së masave të reja në punën e institucionit për shkak të pandemisë, Dhomat e Specializuara vazhdojnë të kryejnë mandatin e tyre dhe se “puna e gjykatësit të procedurës paraprake vazhdon ashtu siç ishte planifikuar”, tha ajo.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë, ky gjyqtar ka kompetenca për të shqyrtuar aktakuzën, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë atë. Me kërkesë të Prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhër-arrest dhe të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e Specializuara.

Dhomat e Specializuara aktualisht kanë 16 gjykatës ndërkombëtarë. Griep deklaron se presidentja e dhomave, Ekaterina Trendafilova, mund të emërojë të njëjtin gjyqtar që të shqyrtojë disa aktakuza. Bazuar në informacionin e disponueshëm nga Dhomat e Specializuara, gjykatësi Guillou që nga viti 2015, ishte shef i kabinetit të kryetarit të Tribunalit Special për Libanin.

Që nga viti 2012, ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht edhe për rastet kundër terrorizmit, korrupsionit dhe krimit kibernetik në vende të huaja.

Prokuroria e Specializuar po heton krimet e pretenduara nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër minoriteteve etnike dhe rivalëve politikë, që janë përmendur në raportin e Këshillit të Evropës 2011, i shkruar nga senatori zviceran Dick Marty.

Gucati: 270 persona janë intervistuar nga prokurorët

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, u formua me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, tha për Radion Evropa e Lirë, se rreth 270 persona janë marrë në pyetje deri tash në Hagë. Të intervistuar, tha ai, kanë qenë eprorë të lartë ushtarakë e ushtarë të zakonshëm. Gucati beson se këto aktakuza janë të papranueshme pasi që sipas tij UÇK-ja, ka bërë luftë të ndershme në të gjithë vendin.

“Nëse ka pasur krim pse nuk shkohet me emra, por shkohet në shumës shkohet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne nuk jemi kundër drejtësisë, ne jemi për drejtësi të vërtetë, jo për drejtësi etnike. Pra, Gjykata Speciale aktualisht është një gjykatë raciste sepse ajo merret vetëm me anëtarët e UÇK-së që janë shqiptarë,” tha ai.

Gucati gjithashtu mendon se do të ishte mirë që kjo gjykatë të ishte në Kosovë, nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, dhe sipas tij edhe shpenzimet do të ishin me të vogla./REL

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur  për…