Pandemia ul ndotjen atmosferike

03 prill 2020 | 14:52

Toka pritet të regjistrojë uljen më të thellë të ndotjes atmosferike që prej Luftës së Dytë Botërore nëse masat për mospërhapjen e pandemisë dhe paralizimi i ekonomisë do qëndrojë gjatë në fuqi.

Nëse ekonomia por edhe transporti global do të mbetet në vend për një kohë të gjatë si tani, sasia e dioksidit të karbonit në atmosferë këtë vit pritet të bjerë me 5 për qind a më shumë.

Shkencëtarët thonë se ky lajm i mirë i atribuohet situatës me pandeminë që në botë ka infektuar mbi 1 milion veta e ka shkaktuar mbi 50 mijë të vdekur.

“Kjo nuk është parë asnjëherë këto 75 vitet e fundit, madje që nga Lufta e Dytë Botërore, kur ekonomia atëherë thuajse kolapsoi dhe kur të gjithë u kthyen në shtëpi dhe nuk prodhonin më tanke dhe aeroplanë për të hedhur në erë njëri-tjetrin,” shprehet Rob Xhekson, udhëheqës i projektit global për monitorimin e gazrave në ajrin rreth Tokës.

Ekspertët paralajmërojnë se pa një ndryshim strukturor, ulja e gazrave nga koronavirusi do të ishte e përkohshme dhe pak efektive në depozitat që janë akumuluar në atmosferë për dekada me radhë.

Planeti u gjet në rrethana të ngjashme gjatë krizës financiare të 2007-2008, vetëm kur sasia u dyoksidit u rrit menjëherë sapo ekonomia nisi të rimëkëmbej.

“Nëse je astmatik, tani është koha më e mirë për të vrapuar jashtë. Por kjo periudhë nuk ka për të zgjatur, dhe sapo njerëzit t’i rikthehen normalitetit, gazrat do të rriten sërish po nuk ndryshuam diçka,” shton një ndihmësprofesore nga Nju-Jorku.

Rritja e sasisë së dyoksidit të karbonit u vërejt së fundmi në Kinë, ku pas rënies me gati 25 për qind të ndotjes si pasojë e mbylljes së fabrikave dhe izolimit prej koronavirusit, tani raporton thuajse të njëjtat vlera si më parë.

Në Europë, ndërkohë, përqendrimi i gazit të azotit në qytetet e Francës, Spanjës dhe Italisë raportohet të ketë zbritur me 40 për qind nga periudha para pandemisë, teksa jeta ekonomike është ngadalësuar dhe qëndrojnë në fuqi masat e karantinës.

/Ora News.tv/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mielli, këto ditë është artikulli më i përfolur ndër qytetarë.…