Panucci, pas humbjes nga Skocia, rrezikon shkarkimin

11 shtator 2018 | 19:10

Christian Panucci ka lëkundur ndjeshëm pozitat e tij, pas humbjes me Skocinë në Glasgow, një ndeshje në të cilën kuqezinjtë, përpos humbjes, u panë në vështirësi shumë të mëdha.

Veç gjendjes jo të mirë fizike, ekipi duket se vuajti ndryshimet e skemës që, siç pohuan edhe lojtarët me zë dhe nën zë, ishin deri-diku të paprovuara. Gjithmonë thuhet se është e lehtë të analizosh kur përfundon gjithçka, por në 10 ndeshje, 9 skema të ndryshme dhe dhjetëra lojtarë të provuar thuajse nuk funksionuan asnjëherë. Kanë qenë rreth 15 lojtarët e rinj që ka grumbulluar trajneri Panucci që nga korriku i vitit 2017, kur mori drejtimin e Shqipërisë, por thuajse asnjëri prej tyre nuk mundi të lërë gjurmë, për të qenë brez i së ardhmes, apo pjesë e ekipit që mban vulën e pasuesit të De Biasit.

Kryefjala e çdo grumbullimi të Christian Panuccit ka qenë disiplina, lojtarët që largohen dhe thirren në grumbullimet pasardhëse për përvojën, apo për t’i plotësuar vendet e lojtarëve të dëmtuar e me pak minuta aktivizim. Prania e kapitenit Agolli në këto dy ndeshje u pa vetëm në konferencat për shtyp, ndërkohë që në futboll thuhet se formacioni fitues nuk ndryshon. Mesfusha e paraqitur mirë në ndeshjen ndaj Izraelit, me Bashën në krye apo Hykën, u ndryshua 3 ditë më pas pa ndonjë arsye bindëse, ndryshim që rezultoi jo i suksesshëm, raporton “TopChannel”. Fitorja me Izraelin thjesht i dha një frymëmarrje atmosferës mbytëse të krijuar nga një presion i drejtë rezultatesh. Ndërkohë, tani pas humbjes në Skoci, gjithçka zbret në vendin ku ishte, në të njëjtën atmosferë, presion e pasiguri.

Teorikisht jemi me 3 pikë në grupin tonë, aq sa edhe Skocia, por luajmë në Izrael ndeshjen e ardhshme me frikën se nuk dimë çfarë na pret, kush do të luajë dhe si do të luajmë. Një pikëpyetje që e ka shoqëruar trajnerin Panucci përgjatë të gjithë këtij viti që na udhëheq, edhe pse vlen të thuhet se për fatin e tij jo të mirë, aventura e drejtimit të një përfaqësueseje filloi nga një Shqipëri në tranzicion. Shumica e lojtarëve janë pa minuta në këmbë, me dëmtime të shpeshta, disa madje edhe pa ekipe për të luajtur në mënyrë të vazhdueshme, duke sjellë një kolaps mendimi për një zgjidhje të së ardhmes.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të…