Papa Françesku dënon valën e re të antisemitizmit

08 mars 2019 | 16:13

Papa Françesku ka dënuar antisemitizmin si dhe ka kërkuar nga të gjitha vendet që të jenë vigjilente kundër tij.

Në komentet e tij para anëtarëve të Komitetit amerikan-hebraik, gjatë një vizite në Vatikan, Papa ka përsëritur se është mëkat për të krishterët të mbajnë ndjenja antisemite, pasi ata ndajnë të njëjtën trashëgimi me hebrenjtë.

“Një burim i shqetësimit të madh për mua është përhapja në shumë vende e një klime të ligësisë dhe tërbimit përmes së cilës po zë rrënjë urrejtja”, ka thënë Papa Françesku, duke vënë në theks valën e re të sulmeve antisemite në vende të ndryshme të botës.

Papa nuk ka emëruar asnjë prej këtyre vendeve mirëpo të dhënat qeveritare të publikuara muajin e kaluar kanë treguar për më shumë se 500 sulme antisemite gjatë vitit të kaluar në Francë. Ky vend e ka bashkësinë më të madhe hebraike në Evropë.

Kjo ishte një rritje prej 74 për qind nga viti 2017, raporton “Rel”.

“Për një të krishterë, çdo formë e antisemitizmit është një refuzim i origjinës së tij”, ka thënë Papa Françesku.

Një studim i Bashkimit Evropian muajin e kaluar ka treguar se një në tre hebrenj evropianë e kanë konsideruar emigrimin në pesë vitet e fundit, sepse ata nuk ndihen më të sigurt.

Episodet e antisemitizmit kanë përkuar me ngritjen e partive populiste apo nacionaliste në vendet me mbizotërim të krishterë, si Italia, Gjermania, Polonia dhe Hungaria.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i klubit të Gjilanit, Florim Zuka dhe trajneri i…