Paralajmërimi i Trump: Ajo që i ndodhi Maduros mund tu ndodh liderëve të tjerë
Presidenti Donald Trump njoftoi të shtunën se Shtetet e Bashkuara do të marrin përkohësisht nën administrim Venezuelën, pas një operacioni ushtarak “të jashtëzakonshëm” gjatë natës që çoi në kapjen e udhëheqësit venezuelian, Nicolás Maduro.
Në një konferencë për shtyp nga klubi i tij në Mar-a-Lago, Trump deklaroi se SHBA do ta “drejtojë vendin” derisa të sigurohet një tranzicion i duhur dhe i sigurt i pushtetit. Ai nuk dha një afat kohor se sa do të zgjasë ky proces, duke sugjeruar një periudhë okupimi derisa Uashingtoni të vendosë kthimin e kontrollit tek venezuelianët.
“Ne do ta drejtojmë vendin derisa të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të matur,” tha Trump. “Ne nuk duam të përfshihemi që dikush tjetër të hyjë dhe të kemi të njëjtën situatë që kemi pasur gjatë viteve të fundit. Kështu që ne do ta drejtojmë vendin.”
“Ajo që i ndodhi Maduros mund t’u ndodh liderëve të tjerë”, deklaroi Trump.
Operacioni “I Errët dhe Vdekjeprurës”
Presidenti përshkroi detaje të operacionit që ai e quajti një shfaqje “dërrmuese” të fuqisë ushtarake amerikane nga ajri, toka dhe deti.
Trump zbuloi se dritat në kryeqytetin Karakas ishin fikur qëllimisht gjatë kapjes së Maduros, duke lënë të kuptohet për një sulm kibernetik ose fizik mbi rrjetin energjetik.
“Ishte errësirë, dritat e Karakasit u fikën kryesisht për shkak të një ekspertize të caktuar që ne kemi,” tha Trump. “Ishte errësirë dhe ishte vdekjeprurëse.”
Ai vlerësoi suksesin e misionit, duke theksuar se kapacitetet ushtarake të Venezuelës u neutralizuan shpejt dhe se asnjë ushtar amerikan nuk u vra dhe asnjë pajisje ushtarake nuk u humb.
“Ata e dinin që po vinim,” tha Trump, duke shtuar se SHBA ishte përgatitur edhe për një “valë të dytë” sulmesh, por kjo nuk ishte e nevojshme për shkak të suksesit të menjëhershëm.
Lidhur me të ardhmen ekonomike, Trump përmendi se kompanitë amerikane do të ndërhyjnë për të rregulluar infrastrukturën e naftës në Venezuelë dhe “për të filluar të bëjnë para për vendin.”
Nicolás Maduro dhe gruaja e tij raportohet se po transportohen drejt Nju Jorkut për t’u përballur me akuza për trafik droge dhe armëmbajtje, bazuar në një aktakuzë të ngjashme me atë të vitit 2020. Ndërkohë, liderja e opozitës venezueliane dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, María Corina Machado, ka bërë thirrje për unitet në këtë moment kritik.



