Paralajmërimi i Obamës për rrjetet sociale

27 dhjetor 2017 | 12:34

Në një intervistë të rrallë që prej largimit nga posti i presidentit në muajin janar, Barak Obama, ka lëshuar një paralajmërim mbi përdorimin e papërgjegjshëm të medies sociale.

Veprime të tilla, sipas ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, shtrembërojnë perceptimin e njerëzve ndaj çështjeve komplekse dhe përhapin dezinformim.

Pasardhësi i tij Donald Trump është një përdorues i ethshëm i “Twitter”-it, megjithatë Obama është kujdesur të mos e përmendte në emër. Intervistuesi i ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë nuk ishte një gazetar i thjeshtë, por princi Harry, me të cilin kanë diskutuar në programin “Today” të radio 4 të “BBC”-së.

“Një prej rreziqeve të internetit është se njerëzit mund të kenë realitete krejtësisht të ndryshme. Ata mund të mbështillen në informacione që ia shtojnë edhe më shumë paragjykimet. Çështja është si mund ta shfrytëzojmë këtë teknologji në një mënyrë që të lejojë një shumëllojshmëri zërash, një diversitet këndvështrimesh por që të mos çojë në një ‘ballkanizim’ të shoqërisë e të lejojë rrugët e gjetjes së pikave të përbashkëta”, ka thënë Obama.

Trumpi akuzohet për një përdorim të tepruar të “Twitter”-it, edhe pse republikani këmbëngul se kjo i lejon atij lidhjen e drejtpërdrejtë me popullin amerikan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ermal Kuqo është sot drejtues i Departamentit të Zbuluesve të…