Paralajmëron partia e Pacollit: Kosovën po e pret një presion i madh ndërkombëtar
Sekretari i Aleancës Kosova e Re (AKR) Vesel Makolli, ka thënë se lëvdatat për qeverisje duhet të argumentohen me fakte.
Makolli ka thënë se qeveria Kurti nuk mund të krenohet me suksese e të arriturat, pasi sipas tij, kriza në veri, Asociacioni e sanksionet janë probleme që nuk mund të kalohen lehte.
“Lëvdatat për qeverisje të mirë duhet të argumentohen me të arriturat e saj dhe atë me fakte. Nuk kam ndonjë analizë të qeverisjes së qeverive të shteteve të rajonit, por edhe të kisha, nuk e kisha vlerësuar qeverisjen e qeverisë sonë duke e krahasuar me të arriturat e atyre rajonale, por në bazë të punës dhe aktiviteteve që i ka bërë qeveria jonë për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në rrafshin ndërkombëtar për finalizimin e shtetësisë sonë, pranimin në organizatat relevante ndërkombëtare dhe në OKB”, ka thënë Makolli për “Blic”-in
Ai ka thënë se kriza në veri të vendit ka ndikuar në të gjitha fushat.
“Veçanërisht në thithjen e investimeve të cilat janë jetike për zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të reja të punës dhe njëheri për ndalimin e emigrimit të rinisë sonë, për shkak të papunësisë”, ka thënë Makolli.

Më tutje, Makolli ka thënë se imazhi i Kosovës në rrafshin diplomatik është i ulët teksa ka paralajmëruar presion të madh ndërkombëtar për marrëveshjen e Ohrit dhe Brukselit.
“Fakti që po na imponohet Asociacioni dhe shkaku i tij jemi nën sanksione, është indaktor që qeveria jonë nuk mund të krenohet për suksese të arritura. Asnjëherë Kosova nuk ka pas rejting më të ulët në rrafshin diplomatik ndërkombëtar, e kjo duhet të na brengosë shumë”.
“Me pranimin e targave të automjeteve dhe marrëveshjeve tjera nga Serbia, konform marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, këtë fillimvit na pret presion i madhë ndërkombëtar i cili nëse nuk kalohet në koordinim të plotë me ShBA, do të sjellë në vazhdim pasoja të pariparueshme”, ka thënë Makolli.



