
Parandalohet kontrabanda me cigare në vlerë rreth 80 mijë euro, u tentua të futet nga Serbia
Policia e Kosovës (PK), konkretisht njësitet policore të Departamentit të Kufirit, Njësia për Ndërhyrje të Shpejt, në vazhdën e aktiviteteve për luftimin e veprimeve të kundërligjshme ndërkufitare, ka bërë me dije se kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra.
Sipas njoftimit të policisë, “ekipet patrulluese të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë-Veri, në realizim e sipër të një plani taktik-operativ, bazuar në një informatë të pranuar, me datën 25.08.2025 në fshatin Cerajë-KK Leposaviq, kanë hasur në një automjet të braktisur kombi “VW Transporter”, ngjyrë e bardhë, me targa RKS, i mbushur me cigare të llojeve të ndryshme, pa banderola, që dyshohet të jenë të kontrabanduara nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës.
“Vlera e përgjithshme e mallit vlerësohet të jetë në total prej 797 000 copë cigare, me vlerë të përafërt prej 80 mijë (80 000) euro”, ka njoftuar policia.
Në fund është thënë se me autorizim të prokurorit të shtetit, automjeti dhe cigaret e kontrabanduara janë dërguar në terminalin doganor për trajtim të mëtejshëm nga njësitë përkatëse të PK-së dhe nga Dogana e Kosovës.