Parandalohet kontrabandimi i 600 kilogramëve duhan të papërpunuar

06 maj 2022 | 11:42

Policia  e Kosovës ka njoftuar për sekuestrimin e 600 kilogramëve duhan të papërpunuar në fshatin Lubishtë të Komunës së Vitisë.

Sipas policisë, fillimisht është arritur që të identifikohen katër kuaj të cilët ishin futur ilegalisht në territorin e Kosovës nga Maqedonia e Veriut, të cilët ishin të ngarkuar me duhan të papërpunuar.

“Duke u bazuar në informacione inteligjente, ngarkesa së bashku me kafshët-kuajt, kishin pasur destinacion shtëpinë e  personit të dyshuar Z.N., në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë,  me qëllim të ringarkesës në një automjet me targa vendore. Pas konsultimeve me prokurorin kompetentë, është bastisur edhe shtëpia e pabanuar, me ç’rast në një nga hapësirat e saj, janë gjetur edhe një sasi e konsiderueshme e mallit të njëjtë – duhan i papërpunuar.  Në total janë gjetur 34 thasë duhan ‘refuz’ të papërpunuar mbi 500 (pesëqind) kilogramë dhe 94 (nëntëdhjetë e katër)  paketime duhan (rreth 1 kg) e që bën rreth 94 kg në total. Pas hetimeve preliminare në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse, malli-duhani i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganës së Kosovës, ndërsa me rastin është duke u marrë Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare- Lindje, dhe vendimet e mëtejme do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hajrie Hamzaj nga Lubeniçi i Pejës, shpall të pavlefshme diplomën…