PARDADOKS I PASHEMBULLT!

07 dhjetor 2024 | 10:45

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Të dekorohet një kriminel si Milovan Drecun për “ndihmën që u ka dhënë prokurorëve të ZPS-së për mënyrën si duhet të ndiqen shqiptarët” dhe të përndiqen njerëz të pafajshëm mbi bazën e sajesave serbe, është shembulli më paradoksal për institucionet që pretendojnë të sjellin drejtësi dhe përpjekje për të penguar ngadhnjimin e drejtësisë!

Më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të Radio-Televizionit të Beogradit, të Radio-Televizionit të Novi Sadit, si dhe kundër gazetarëve të gazetave Politika, Večernje Novosti dhe të gjithë atyre, që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse. Nëpërmjet kësaj padie, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët që i kishin shërbyer kësaj propagande, se kanë manipuluar me mediet, me qëllim të përhapjes së urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, të nxitjes së diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale. Për këtë arsye, kjo shoqatë kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi, që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për veprën penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës. Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio-Televizionit të Serbisë. Ky fakt është tepër domethënës, sepse padia është bërë nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë! Me qëllim që lexuesi ta ketë të qartë se për çfarë “gazetari” bëhet fjalë, po përmend edhe një fakt tjetër. Për meritat në nxitjen e kryerjes së gjenocidit kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, Milovan Drecun-i dhe kameramani i Radio-Televizionit të Serbisë, Tomislav Magoči, më 27 prill 1999 u dekoruan nga gjeneralkoloneli Nebojša Pavković (Nebojsha Pavkoviq). Milovan Drecun-i dhe Tomislav Magoči ishin të vetmit gazetarë që u dekoruan nga komandanti i Armatës së Tretë Jugosllave, që udhëhoqi zbatimin e planit gjenocidal kundër shqiptarëve në Kosovë. Për lexuesin që nuk e di se kush është Nebojša Pavković-i, do të përmend vetëm faktin se ai kërkohej nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për katër vepra penale të kryera gjatë luftës në Kosovë: deportime, shpërngulje të dhunshme, vrasje dhe përndjekje. Më 25 prill 2005 ai u dorëzua tek autoritetet ndërkombëtare për t’u ballafaquar me drejtësinë. Në shkurt të vitit 2009 u dënua me 22 vjet burg.
Akuza e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë për Milovan Drecun-in. Përkundrazi, në zgjedhjet e 2012-s u bë deputet i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë dhe u emërua kryetar i “Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë”!

Një muaj përpara se të bëhej konfirmimi i aktakuzës dhe të arrestoheshin Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, Milovan Drecun-i ishte i ftuar në emisionin e titulluar “Fillon udhëtimi njëdrejtimësh nga Prishtina për në Hagë” , në “TV Happy”. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët e “TV Happy”-t, Milovan Drecuni, në emër të Grupit Punues të Serbisë, flet me mospërfillje për ekipin e prokurorëve që punonin me kryeprokurorin Swendiman, të cilët nuk i njihnin rrethanat ku kishin ndodhur ngjarjet, nuk dinin në çfarë drejtimi t’i zhvillonin hetimet dhe se Grupi Punues i Serbisë “ka kontribuuar shumë, që t’u japin drejtimin e duhur. Për mua ka qenë thelbësore t’u tregoj prokurorëve në çfarë drejtimi t’i zhvillojnë hetimet, sepse i pashë që ishin duke u sorollatur, sepse e kishin kapur problemin shumë gjerë”, deklaroi Milovan Drecun. Ai tregon se i ka orientuar drejt çështjes së qendrave ilegale të ndalimit, sepse “ka qenë më e lehtë për ta që të dëshmojnë krimet nëpërmjet këtyre qendrave ilegale. Ne u kemi dhënë: – listën e plotë të 159 qendrave të ndalimit që kanë identifikuar shërbimet tona, prej të cilave 6 ishin në veri të Shqipërisë; – emrat e atyre që i kanë krijuar këto qendra; – personat që i kanë keqtrajtuar njerëzit, që i kanë vrarë, që i kanë masakruar, dhunuar (kemi shumë raste të grave të përdhunuara)…”.
Imagjinoni se në çfarë situate paradoksale kemi ardhur: krimineli Milovan Drecun, që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në nxitjen e krimeve ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj të cilit Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë kishte dorëzuar padi, i ka përcaktuar Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës se në çfarë drejtimi duhet t’i zhvillojë hetimet! Dhe për punën që ka bërë, Milovan Drecuni deklaron: “Qysh në fazën e parë unë kam marrë mirënjohje nga kryeprokurori Swendiman. Madje mirënjohja është shkruar me dorë, që është e pazakonshme, sepse po shihej që i kemi ndihmuar shumë të shohin se në çfarë drejtimi duhet t’i zhvillojnë hetimet” . Prandaj nuk ka asnjë bazë të dyshohet për vërtetësinë e faktit, se aktakuza është ndërtuar mbi sajesat e shërbimeve sekrete serbe, e pohon publikisht njeriu, të cilit kryeprokurori Swendiman i ka dhënë mirënjohje!
Në kohën kur pritet të përfundojnë spektaklet e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe kur nuk do të kishte asnjë rrezik të ndikohej në procesin gjyqësor, që rrjedhimisht procesi m und të vazhdonte edhe nga arresti shtëpiak, sajohet akuza e re për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës.
Të dekorohet një kriminel si Milovan Drecun për “ndihmën që u ka dhënë prokurorëve të ZPS-së për mënyrën si duhet të ndiqen shqiptarët” dhe të përndiqen njerëz të pafajshëm mbi bazën e sajesave serbe, është shembulli më paradoksal për institucionet që pretendojnë të sjellin drejtësi dhe përpjekje për të penguar ngadhnjimin e drejtësisë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një burrë në Prishtinë ka raportuar në polici se persona…