Parlamenti Evropian i shqetësuar për nivelin e korrupsionit në Kosovë
Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësim për nivelin e korrupsionit në Kosovë, duke vlerësuar se kjo dukuri vazhdon të mbetet një problem sistemik që minon funksionimin e institucioneve publike dhe besimin e qytetarëve.
Në raportin e miratuar më 17 qershor, eurodeputetët kanë shprehur “shqetësim të thellë për përparimin e pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit” dhe kanë vënë në dukje mungesën e progresit të prekshëm strukturor në këtë fushë, pavarësisht zotimeve të bëra.
“Shpreh shqetësim të thellë për përparimin e pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi; shpreh keqardhje për mungesën e progresit të prekshëm strukturor në këtë fushë, pavarësisht zotimeve të bëra. Thekson se korrupsioni mbetet një problem sistemik që minon funksionimin e institucioneve publike dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në raport.
Eurodeputetët kanë shprehur gjithashtu shqetësim për rënien e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025.
“Vëren me shqetësim rënien e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, ku renditet e 76-ta nga 182 shtete dhe territore, tri vende më poshtë krahasuar me vitin 2024, çka paraqet një regres shqetësues nga trendi i mëparshëm i përmirësimit gradual, ndonëse Kosova vazhdon të qëndrojë para disa vendeve të tjera të rajonit”, thuhet më tej në raport.
Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të miratojnë dhe zbatojnë pa vonesë masa konkrete për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit.
Në raport kërkohet miratimi i shpejtë i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe planit të veprimit për periudhën 2025–2028, përdorimi më efektiv i deklarimit të pasurisë dhe planeve të integritetit, si dhe forcimi i mekanizmave të konfiskimit në rastet e korrupsionit.
Po ashtu, eurodeputetët kanë theksuar nevojën për forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve operacionale të institucioneve kundër korrupsionit, si dhe përmirësimin e koordinimit ndërmjet prokurorisë, policisë dhe njësive të inteligjencës financiare.
Parlamenti Evropian ka miratuar raportin për Kosovën me 412 vota për, 174 kundër dhe 58 abstenime.



