Parlamenti Evropian miraton Rezolutën për Shqipërinë: Vlerësohet progresi, por kërkohen reforma

09 korrik 2025 | 16:12

Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutën për Shqipërinë, duke vlerësuar progresin e vendit gjatë viteve 2023 dhe 2024, por duke theksuar edhe nevojën për përshpejtimin e reformave kyçe. Vendimi erdhi pas debatit të zhvilluar më 8 korrik dhe pas miratimit paraprak të raportit nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë më 4 qershor 2025.

Raporti i plotë:

Progresi dhe sfidat

Raporti përshëndet përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj procesit të integrimit në BE, si dhe mbështetjen e gjerë politike dhe qytetare që ky proces gëzon në vend. Vlerësohet përparimi i shpejtë i bërë vitet e fundit, përfshirë hapjen e dy grup-kapitujve në vitin 2024, dhe ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Megjithatë, eurodeputetët kërkojnë përshpejtimin e reformave për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe avancimin e lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së mediave.

Institucionet demokratike dhe media

Raporti nënvizon nevojën për dialog konstruktiv mes forcave politike shqiptare dhe tejkalimin e polarizimit të thellë politik që karakterizon vendin. Eurodeputetët shprehin shqetësim për përkeqësimin e lirisë së medias dhe u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë transparencë mbi pronësinë e mediave dhe të mbrojnë gazetarët nga presioni dhe sulmet, duke përfshirë një kuadër më të fortë ligjor.

Të drejtat themelore dhe sundimi i ligjit

Eurodeputetët theksojnë se Shqipëria duhet të forcojë mbrojtjen e të drejtave të grave dhe personave LGBTI+, si dhe të sigurojë respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Po ashtu, theksohet nevoja për masa urgjente që të garantohet pavarësia e gjyqësorit, duke adresuar ndërhyrjet politike dhe presionet ndaj institucioneve të drejtësisë.

Reformat socio-ekonomike dhe mjedisore

Raporti mirëpret agjendën reformuese të Shqipërisë për përmirësimin e klimës së biznesit, dixhitalizimin, tranzicionin e gjelbër dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike. Po ashtu, inkurajon autoritetet të reduktojnë varfërinë dhe përjashtimin social përmes rritjes së aksesit në arsim, strehim dhe shërbime shëndetësore.

Eurodeputetët vlerësojnë anëtarësimin e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) në nëntor 2024 dhe përmirësimin e performancës fiskale, por theksojnë se vendi duhet të dyfishojë përpjekjet për të arritur objektivat në mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë e qëndrueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore, dega në Lipjan,…