
Partey akuzohet për përdhunim
04 korrik 2025
| 16:40
Tomas Partey, ish-mesfushori i Arsenalit, është zyrtarisht i akuzuar nga Shërbimi i Policisë Metropolitane në Londër për disa vepra të rënda penale, përfshirë përdhunim dhe sulm seksual.
Në një deklaratë zyrtare, Prokuroria e Kurorës së Mbretërisë (CPS) konfirmoi: “Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës ka autorizuar Policinë Metropolitane të ngrejë padi ndaj një burri, pas paraqitjes së një dosjeje provash nga detektivët”.
Sipas njoftimit: “Thomas Partey, 32 vjeç (i lindur më 13 qershor 1992), nga Hertfordshire, është paditur për pesë akuza për përdhunim dhe një akuzë për sulm seksual.”
Ngjarjet dyshohet të kenë ndodhur gjatë periudhës 2021-2022. Partey aktualisht është lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me Arsenalin përfundoi dhe nuk u rinovua.