Partitë duhet të dalin me qëndrim të përbashkët për presidentin

06 dhjetor 2020 | 11:45

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Xhafer Gashi, e ka mirëpritur paralajmërimin për një tryezë të partive politike, në të cilën do të diskutohet çështja e presidentit.

Ai ka thënë se situata nëpër të cilën po kalon Kosova kërkon bashkim të spektrit politik.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Gashi ka thënë se partitë politike duhet të dalin me një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje.

“Situata nëpër të cilën po kalon vendi ynë kërkon një unitet politik mes të gjitha partive, prandaj shpresoj se partitë politike duhet të dalin me një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar Gashi. Megjithatë, ai ka këmbëngulur se ky post duhet t’i takojë AAK-së.

Sipas tij, në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, lideri i AAK-së është kandidati i duhur që duhet të jetë në pozitën e shefit të shtetit.

“Edhe në deklarimet e mia të mëhershme kam theksuar se, sipas të gjitha formulave politike dhe koalicioneve, presidenti duhet t’i takojë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatit të saj për president, z. Ramush Haradinaj. Duke pasur parasysh periudhën nëpër të cilën po kalon Kosova, jam shumë i bindur se kandidati i AAK-së për president, këtë rast z. Ramush Haradinaj, është një njeri i unitetit i cili edhe në kohët më të vështira për vendin, por edhe në kohën e paqes ka dhënë kontribut të çmuar për vendin”, është shprehur ai.

I pyetur nëse është i mundshëm një kompromis në mes të PDK-së dhe AAK-së për këtë çështje, ai ka thënë se për gjithçka vendosin organet e partisë.

“Për këtë çështje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka organet brenda partisë, si kryesia e nivelit qendror dhe këshilli drejtues, përmes të cilave del me qëndrimet e veta, andaj edhe për këtë çështje, në rast se duhet të diskutohet, besoj se AAK-ja do të dalë me qëndrimet e veta”, ka vlerësuar Gashi.

Kryetari i Obiliqit ka folur edhe për gjendjen pandemike në vend dhe komunën që ai drejton. Sipas tij, pandemia Covid-19 është e menaxhueshme në komunën e tij. “Në Obiliq, përkundër rritjes së numrit të rasteve të të infektuarave, ashtu si në tërë vendin, situata është e menaxhueshme. Të gjithë mekanizmat anti-Covid në Komunën e Obiliqit janë nën funksion dhe bazuar në raportimet e tyre, situata është nën kontroll. Aktualisht në Obiliq kemi 133 raste aktive dhe 424 raste të shëruar”, ka thënë Gashi.

“Epoka e re”: Z. Gashi, cila është gjendja me Covid-19 në Komunën e Obiliqit?
Gashi: Në Obiliq, përkundër rritjes së numrit të rasteve të të infektuarave, ashtu si në tërë vendin, situata është e menaxhueshme. Të gjithë mekanizmat anti-Covid në Komunën e Obiliqit janë nën funksion dhe, bazuar në raportimet e tyre, situata është nën kontroll. Aktualisht në Obiliq kemi 133 raste aktive dhe 424 raste të shëruar.

“Epoka e re”: Sa jeni i kënaqur me mbështetjen e qeverisë?
Gashi: Komuna e Obiliqit në vazhdimësi ka koordinuar veprimet për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19 me të gjitha institucionet e nivelit qendror, edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës, ku sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zbatimin e programit të rimëkëmbjes ekonomike, komuna e Obiliqit ka përfituar mjete prej 290 530 18 eurosh të cilat i kemi ndarë nëpër sektorët më të prekur nga pandemia Covid-19. Për sektorin e shëndetësisë kemi ndarë 90 000 00 euro, të bujqësisë 70 000 00 euro dhe 130 000 00 euro për bizneset dhe gastronomitë që ta vazhdojnë punën pas dëmeve të shkaktuara nga kjo pandemi. Duke pasur parasysh faktin se kjo pandemi ka shkaktuar dëme në të gjitha sferat, uroj që qeveria të vazhdojë të ofrojë gatishmëri në përkrahjen e kërkesave të institucioneve të nivelit lokal, të cilat janë konfrom kërkesave të qytetarëve, në mënyrë që të kemi një rimëkëmbje më të fuqishme ekonomike dhe sociale.

“Epoka e re”: Kryeministri ka paralajmëruar mbajtjen e një tryeze me partitë politike për të diskutuar për çështjen e presidenti. Prisni që në këtë tryezë partitë politike do të pajtohen për këtë çështje?
Gashi: Situata nëpër të cilën po kalon vendi ynë kërkon unitet politik mes partive, prandaj unë shpresoj se partitë politike duhet të dalin me një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje.

“Epoka e re”: AAK-ja ka dalë me z. Haradinaj si kandidat për president. Nëse partitë e tjera nuk e përkrahin këtë kandidaturë, si do të veprojë AAK-ja?
Gashi: Edhe në deklarimet e mia të mëhershme kam theksuar se, sipas të gjitha formulave politike dhe koalicioneve, presidenti duhet t’i takojë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatit të saj për president, z. Ramush Haradinaj. Duke pasur parasysh periudhën nëpër të cilën po kalon Kosova, jam shumë i bindur se kandidati i AAK-së për president, në këtë rast z. Ramush Haradinaj, është një njeri i unitetit i cili edhe në kohët më të vështira për vendin, por edhe në kohën e paqes ka dhënë kontribut të çmuar për Kosovën.

“Epoka e re”: Së fundi edhe përfaqësues të PDK-së kanë thënë se synojnë ta marrin këtë pozitë. A është e gatshme AAK-ja ta bëjë ndonjë kompromis me PDK-në për pozitën e presidentit?
Gashi: Për këtë çështje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka organet brenda partisë, si kryesia e nivelit qendror dhe këshilli drejtues, përmes të cilave del me qëndrimet e veta, andaj edhe për këtë çështje, në rast se duhet të diskutohet, besoj se AAK-ja do të dalë me qëndrimet e veta.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona u shokua mbrëmjen e djeshme, pasi u mposht me…